Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka replikuar me kryeministrin Avdullah Hoti në lidhje me deklaratat e tij, karshi kësaj partie si dhe me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Hoxhaj tha në qeverisjen e tyre kanë qenë të informuar se shteti i Burundit do ta tërheq njohjen e Kosovës.
Ai tha se gabimi i vetëm i asaj qeverie ishte mos krijimi i një strategjie për parandalimin e tërheqjes së këtyre njohjeve.
“Një vit para se ta tërheq Burundi njohjen me ne, ne e kemi pas këtë informatë. Me të vërtetë ajo qeveri ka gabuar sepse nuk ka pasur një strategji për parandalimin e kësaj”, ka thënë ai.
Hoxhaj po ashtu ka kërkuar nga Hoti që ta anuloj pikën e marrëveshjes të nënshkruar në Washington, ku thuhet që Kosova pezullon për një vit mos aplikimin e saj në organizata ndërkombëtare.
“Po ju kërkoj që nëse vërtetë çka po thotë një medium keni bërë qarkore për mos aplikim në organizata ndërkombëtare, kjo temë ka të bëjë me vet besimin e kësaj qeverie. Atë draft anulojeni, thirrni amerikanët, ‘e zbatojmë marrëveshjen, po këtë s’mund ta bëjmë se është shumë’ ”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj po ashtu foli edhe për ish Qeverinë Kurti, ku tha se një gabim të madh në atë kohe e ka lëshuar ish ministri, Blerim Reka.
“Një temë të kryeministrit Kurti nuk e kam ngritur, gabimin e madh të Blerim Rekës për korridorin”, ka thënë ai.
Në momentin e diskutimit të Hoxhajt për ish qeverisjen e Kurtit, nga ulëset e deputetëve të LVV-së pati reagime.
Hoxhaj iu drejtua duke ju thënë se nuk duhet të hyhet në temat e politikës së jashtme.
“Janë disa temë që janë për kirurg, e mos hyni në temat e politikës së jashtme të cilat neve po na kushtojnë”, tha Hoxhaj.
E njërës nga deputetet e LVV-së, Hoxhaj i tha se ajo nuk merr vesh në këto punë.
“Le se s’merr vesh në atë punë ti”, i tha ai, Pacollit. /Telegrafi/