Telegrafi

Hoxhaj: Në Serbi po hapen varret masive, BE-ja hesht

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka publikuar një hartë të vendndodhjeve të varrezave masive me shqiptarë të Kosovës, të vrarë gjatë luftës, të identifikuara në Serbi.

Enver Hoxhaj, kryetari në detyrë i PDK-së, përmes një shkrimi në rrjetin social Twitter, ka publikuar një hartë të varrezave masive në Serbi, ku tha se Serbia i ka fshehur ato.

Derisa sot po hapet një varr tjetër masiv në Serbi, Hoxhaj tha se disa javë më parë Ivica Dacic kërcënoi serbët që zbuluan këto varre.

“Kjo është harta e varrezave masive serbe që Serbia i ka fshehur dhe sot është duke u hapur një varr masiv, me kosovarë të vrarë, vetëm disa javë pasi Daçiq kërcënoi serbët që zbuluan këto varre masive, ai po i shtyn ata të bëhen dëshmitarë në Gjykatës Speciale. BE-ja po qëndron në heshtje”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Ditën e hënë në një pjesë malore mes Rashkës dhe Kizhevakut të Serbisë, janë gjetur mbetje mortore, të cilat besohen të jenë të viktimave nga lufta e fundit në Kosovë.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu ka konfirmuar për Telegrafin se tashmë ekipi kosovar është kthyer nga Serbia, dhe se janë në pritje të një vendimi të gjykatës në Serbi. /Telegrafi/