Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka folur për zhvillimet e mundshme në seancën për demarkacionin, ndërsa ka ftuar të gjithë deputetët që ta votojnë atë.
Sipas tij, nuk ka arritje më të madhe për qytetarët e Kosovës në 5-6 vitet e ardhshme se sa liberalizimi i mundshëm i vizave.
“Nuk do te ketë arritje më të madhe për qytetarët e Kosovës në pesë vitet e ardhshme se sa liberalizimi i vizave sa i takon raportit tonë me BE-në sepse anëtarësimi në BE është orientim gjeopolitik dhe ekonomik, diçka që mund të merr kohë më shumë se 10 vite. Por lëvizja pa viza është e menjëhershme dhe do të përfitojmë drejtpërdrejt”, ka thënë Hoxhaj në RTV Dukagjini.
Madje ai ka thënë se “liberalizimi i vizave në një masë varet nga vota e deputetëve shqiptarë të enjten”, transmeton Telegrafi.
Sipas Hoxhajt, duhet të përfundoj izolimi për qytetarët e vendit të cilit janë të vetmit që nuk mund të udhëtojnë në rajon. /Telegrafi/