Telegrafi

Hoxhaj kritikon Qeverinë: Kurti po administron me Kosovën, ndryshimi i vetëm që u solli qytetarëve ishte shtrenjtimi i rrymës

Ish-ministri i Jashtëm, njëherit deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se Qeveria Kurti ndryshimin e vetëm që u ka sjellë qytetarëve është fatura e rrymës.

Hoxhaj në një intervistë për “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu duke komentuar njëvjetorin e qeverisjes së Albin Kurtit, ka thënë se ky i fundit nuk ka program të qartë e as prioritete të qarta.

“Në shkurt të vitit të kaluar qytetarët e Kosovës e kanë votuar ndryshimin në Kosovë dhe në shkurt të vitit 2022 ndryshimin e vetëm që e shohin qytetarët e Kosovës është në faturat e rrymës, rritje marramendëse e çmimit të rrymës, rritje marramendëse e kostos së jetës dhe mungesë totale e politikave të qeverisë sesi me i menaxhua çështjet më urgjente që i ka në tavolinë dhe kjo vjen si pasojë e faktit që qytetarët e Kosovës e kanë zgjedhur një qeveri pa program. Vitin e kaluar z.Kurti nuk ka garuar me ndonjë program të qartë nuk ka pasur prioritete të qarta”, tha Hoxhaj.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj gjatë intervistës në emisionin “Përballje”  në Telegrafi.com/Foto: Ridvan Slivova

Ai ka shtuar se mjerisht tash e tutje një pjesë e tyre edhe më tutje po i besojnë pa rezultat, derisa i ka lutur qytetarët që të reflektojnë.

“Në momentin që ata të cilët pretendojnë që janë alternativë dhe kanë fuqi për t’i zgjidh problemet dhe dështojnë për t’i zgjidh problemet dhe nuk e kanë idenë sesi udhëhiqet dhe sesi qeveriset, qytetarët e Kosovës kudo që do të mbahen zgjedhjet do të duhej të votojnë për PDK-në dhe alternativën që ofron opozita”, u shpreh Hoxhaj për Telegrafin.

Ish-ministri i Jashtëm më tej shtoi se kjo Qeveri do tu sjellë qytetarëve edhe fatura tjera të shtrenjta përveç asaj të rrymës.

“Kjo Qeveri sikurse ka sjellur faturën e rrymës të rritur, do të sjellë fatura tjera të shtrenjta qoftë në politik të jashtme, në mungesë të zhvillimit ekonomik, arsim dhe fusha tjera. Unë nuk shoh një qartësi për çka qëndron z.Kurti kam prit që qeverisja e tij ta transformon Kosovën. Ky në vend të transformim është duke e administruar Kosovën”, tha Hoxhaj.

Deputeti i PDK-së theksoi se rritja marramendëse e çmimeve po ndodh kudo në botë, ndërsa kryeministri Kurti në Kuvend sjell formulime të kota dhe demagogji.

“Ministrat e tij nuk kanë ide për çfarë flasin e për çka qëndrojnë. Narrativa e tij që çdo gjë në 20 vitet e fundit ka shkuar keq dhe me të fillon historia po tregon që transformimi i madh nuk po fillon, përkundrazi është një qeveri e dobët, anemike”, tha Hoxhaj.

Ai në këtë intervistë flet edhe për politikën e jashtme të Kosovës dhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi. /Telegrafi/