Telegrafi

Hoxhaj: Deklarata e Milaçiqit për tërheqjen e njohjes së Kosovës, ftesë që shqiptarët e Malit të Zi ta votojnë Gjukanoviqin (Video)

Mali i Zi këtë të diele do të mbajë zgjedhjet presidenciale, zgjedhje këto të cilat po cilësohen si tejet të rëndësishme për të ardhmen e këtij vendi dhe rajonit në përgjithësi.

Lidhur me këtë proces të rëndësishëm për Malin e Zi, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për Telegrafin ka thënë se këto zgjedhje janë një ngjarje e rëndësishme rajonale përtej Malit të Zi.

I pyetur rreth deklaratës së kandidatit të opozitës për president të Malit të Zi, Marko Milaçiq i cili pati deklaruar se në rast se ai arrin të bëhet president do të tërheq njohjen e Pavarësisë së Kosovës, Hoxhaj tha se deklaratat e tilla nuk kanë asnjë vlerë.

“Unë mendoj se deklaratat e tilla nuk kanë asnjë vlerë as për raportet tona ndërshtetërore e as për realitetin politikë në Mal të Zi apo Kosovë. Kosova dhe Mali i Zi do të jenë çdoherë shtete të pavarura”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka thënë se një deklaratë e tillë është ftesë për shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi të votojnë pro presidentit Gjukanoviq.

“Kjo është një ftesë për shqiptarët që të votojnë pro Gjukanoviqit, i cili mbi të gjitha interesohet që ky vend të lëvizë drejt të ardhmes së tij në Bashkimin Evropian dhe në NATO, dhe avancimi i këtij vendi drejt NATO-s dhe BE-së do të jetë edhe avancim për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi”, u shpreh Hoxhaj për Telegrafin.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj, më tej u shpreh i bindur se edhe pas këtij procesi zgjedhor, raportet në mes Kosovës dhe Malit të Zi do të jenë të shkëlqyeshme, duke thënë se shpreson që në një të ardhme të afërt të organizojnë edhe një mbledhje të përbashkët mes Kosovës dhe Malit të Zi, sikurse ekziston me Shqipërinë dhe Maqedoninë

Në garën për president të Malit të Zi marrin pjesë 7 kandidatë. Presidenti i Malit të Zi zgjidhet me votim të drejtpërdrejtë me mandat pesëvjeçar.

Këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale gjatë sistemit shumëpartiak në Mal të Zi, që nga viti 1990. President i Malit të Zi nga viti 2003 është Filip Vujanoviq, i cili këtë funksion e ka ushtruar për tre mandate radhazi. /Telegrafi/