Situata e sigurisë në veriun e Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar, por pavarësisht kësaj, Policia e Kosovës me përkushtim e profesionalizëm është duke i kryer detyrat e saj ligjore për të siguruar rend e ligj.
Kështu ka deklaruar komandanti i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i cili gjithashtu i përshkroi në detaje protestat e dhunshme të qytetarëve serbë në veri.
“Situata në veri të Kosovës dallon nga pjesa tjetër e Kosovës për shkak të specifikave dhe grupeve kriminale që veprojnë që një kohë të gjatë. Edhe menaxhimi nuk është fare i lehtë, por falë policëve tanë, kemi fituar një betejë të gjatë që po zhvillohet atje. Kemi arritur në njëfarë forme të garantojmë siguri për qytetarët e po ashtu të kemi prezencë të policëve tanë rreth kufirit të Kosovës me Serbinë”, tha Hoxha në RTK.
Sipas drejtorit të Policisë, qytetarët e pjesës veriore kanë filluar të bashkëpunojnë ngushtë me policinë.
Ai tha se Policia e Kosovës nuk bënë operacione ad-hok, por e analizon situatën dhe i përgjigjet me plan operativ profesional. Hoxha po ashtu tha se edhe me 26 qershor, policia ka zbatuar Ligjin dhe urdhrin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, për t’i asistuar kryetarët e komunave që të shkojnë në objektet komunale.
Hoxha përmendi edhe faktin se policia ka qenë në perimetër të komunave, dhe se vazhdimit ishte e rrezikuar.
“Roli dhe detyrat e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it kanë qenë të ndara. A ka pasur rrezik?, ka pasur rrezik për të gjithë. Mirëpo me truma të njëjta ne jemi ballafaquar. Policia e Kosovës ka arritur që në mënyrë profesionale t’i largojë ato turma nga hyrja e objekteve komunale dhe pa asnjë dëmtim tek Policia e Kosovës dhe te qytetarët është kryer detyra. Nuk mund të garantojmë sigurt që nuk mund të kishte pasur viktima ose pasoja të rënda, mirëpo Policia e Kosovës ka qenë e përgatitur profesionalisht për t’i kryer detyrat e saj”, tha Hoxha.
Komandanti u përgjigj edhe në pyetjen se cila ditë ishte më e rrezikshme për policinë, e premtja kur ishin vetëm Policia e Kosovës, apo dita e hënë kur ndërhyri KFOR-i, i cili edhe u sulmua nga qytetarët e dhunshëm serbë.
“Ditën e hënë me datë 29 grupet kriminale kanë qenë të përgatitura për të sulmuar qoftë Policinë e Kosovës qoftë KFOR-in. Roli ka qenë i ndarë dhe pastaj KFOR-i ka marrë për detyrë që të sigurojë perimetrin e jashtëm të objektit komunal në Zveçan, pastaj ka ardhur deri te konfrontimi. Edhe pse ka pasur një tentativë të gjatë për negocim me krerët që i kanë prirë protestës, fatkeqësisht nuk kanë arritur të gjejnë një mirëkuptim, andaj është dashur të lëvizë KFOR-i për të krijuar një korridor para objektit të komunës dhe mandej ka ardhur deri te hedhja e koktej mollotovit, bombave dhe shokbombave”, tha Hoxha.
Ai tha se ka qenë një koordinim i Policisë së Kosovës me KFOR-in, mirëpo KFOR-i ka vepruar në bazë të mandatit të tij.
”Sipas komandantit të KFOR-it ai ka dashur të parandalojë një konflikt të hapur në mes të Policisë dhe protestuesve të dhunshëm atë ditë. Ky ka qenë një vendim i komandantit të KFOR-it për të qenë në mes të policisë dhe protestuesve”, deklaroi Hoxha.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se shefi i hetimeve, Shemsi Haziri nuk është shkarkuar nga detyra, por është sistemuar në një pozitë më të lartë.
Në RTK “Prime”, ai tha se risistemimi i Hazirit s’ka të bëjë me hetimet e zyrtarëve të lartë, por ai është avancuar në pozitë.
Sipas tij, nuk ka mundësi që politika të ndërhyjë në emërime dhe sistemime policore.