Telegrafi

Hoxha për fjalimin e Cameronit për Banjskën: Britania e Madhe është shumë më agresive ndaj Serbisë se BE-ja

Analisti Ylli Hoxha, ka thënë se Britania e Madhe është më agresive ndaj Serbisë.

Kjo, pas deklarimit të tij në një seancë të Parlamentit britanik, ku Cameron ka sjellë në vëmendje incidentin e fundit në veri të Kosovës, të njohur si sulmi i Banjskës, teksa tha se duhet të tregohet zhgënjim më i madh me Qeverinë e Serbisë.

“Ideja e simbolikës së valimit të flamurit është e bukur të diskutohet por në këtë rast e humb rëndësinë sepse kjo vizitë paralajmëron diçka më serioze se ajo pikë e marrëveshjes, është paralajmërim i një marrëdhënie të re të cilën Cameron po e shtyn. Fati jonë është që Britania ka qasje të kristaltë të pasur karshi Rusisë dhe kjo është reflektuar edhe në Kosovë sidomos nëse e kthejmë memorien te Ukraina e shohim se ka qenë Britani ajo mbrojtësja kryesore e Ukrainës”.

“Paralajmërimin të cilin sot e dëgjojmë nga Cameron është ky, qasja jonë e Perëndimit vazhdon të jetë e njëjtë përkundër faktit që ka ndodhur sulmi rus në Ukrainës dhe ky konsideron se nuk duhet të jetë e njëjtë. Pse ky mesazh vjen përkundër mesazhit të Stanos… kemi dy lloj dinamikash, e kemi një BE krejtësisht të qulltë dhe një Britani që është tejet agresive ndaj Serbisë”, tha Hoxha në “Debat Plus”.

Sipas Hoxhës, Bashkimi Evropian nuk mund të pranojë Serbinë me hapa të shpejt duke qenë aleat i kontrolluar nga Rusia.

“Nuk mund të ketë përshpejtim të integrimit evropian të Serbisë pa një përshpejtim të derusizimit të Serbisë. Nuk ka mundësi që BE-ja të pranojë Serbinë si anëtare me hapa të shpejtë duke qenë aleat i kontrolluar i Rusisë, duhet të ketë detyra të tjera, dhe këto detyra nëse Serbia do të detyrohet t’i kryejë atëherë mund të rezultojë në konflikte”, shtoi ai.