Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha në Kuvendin e Kosovës ka thënë se me këtë qeveri nuk ka të ardhme për Kosovën e qeverisjen e saj.
Ajo ka bërë një rezyme të qeverisjes dyvjeçare të Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se në vend është krijuar një depresion kolektiv.
“Të dashuruarve e qifteve të reja, Shën Albini u kishte premtuar banesa të reja e të përballueshme në mënyrë që të nisin jetën me lehtësi. Le që këtyre nuk ua mundësoi banesat e reja, por edhe qifteve të kaluara që kanë banesë e shtëpi u sigurua që t’ua rrisë tatimet e t’ua vështirësojë jetën”, deklaroi deputetja e opozitës.
Hoxha thotë se asnjëherë më parë se sot nuk ka pasur më pak sovranitet në veri.
“Asnjëherë më parë nuk ka pasur më pak investime kapitale”.
Deputetja opozitare thotë se asnjëherë më parë Kosova nuk ka pasur kaq shumë ambasada pa staf e pa financim.
“Asnjëherë më parë nuk ka pasur më shumë skandale diplomatike se sot”.
Ajo ka përmendur edhe punësime familjare në sektorë të ndryshëm të shtetit.
“Në qeveri çdo ditë ka dasmë. Sa halla, vëllai, nipi e tezja janë të punësuar në borde e institucione publike”, deklaroi tutje Hoxha./Telegrafi/