Telegrafi

Hovenier takon komandantin e KFOR-it: Kemi përforcuar angazhimin e përbashkët për sigurinë në Kosovë

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, është takuar me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas – me të cilin ka diskutuar për sfidat e sigurisë në Kosovë.

Teksa ka njoftuar për takimin, Hovenier ka thënë se kanë përforcuar angazhimin e përbashkët për sigurinë në Kosovë.

“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fuqishëm me KFOR-in pasi punon për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt si dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë”, ka shkruar ambasadori në rrjetin social “X”.

Trupat e KFOR-it, që janë nga 27 shtete të botës, kanë për mandat që të ofrojnë mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Mandati i tyre buron nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar më 10 qershor 1999, një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes Teknike të Kumanovës.

Kjo marrëveshje parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare. Ajo u nënshkrua midis KFOR-it dhe autoriteteve të ish-Jugosllavisë, duke i dhënë fund bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe. /Telegrafi/