Telegrafi

Hovenier: SHBA-ja e shqetësuar për incidentin në Zveçan, policia duhet të kryejë një hetim të plotë të rastit

Policia e Kosovës ka njoftuar se një person në veri të vendit është plagosur me armë zjarri, gjatë ditës së hënë.

Lidhur me këtë PK-ja ka suspenduar katër zyrtarë policorë.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Hovenier ka shprehur shqetësimet e SHBA-së gjërsa ka thënë se duhen zhvilluar hetime të plota.

“SHBA-të janë të shqetësuara për një incident në të cilin një serb i Kosovës u qëllua mbrëmë në Zveçan/Zveqan. Zyrtarët dhe institucionet e Policisë së Kosovës duhet të kryejnë një hetim të plotë dhe të besueshëm. Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga mohimi fillestar i bërë pa kujdesin e duhur”.

Lexo po ashtu Plagosja në veri, suspendohen katër zyrtarë policorë - njëri dyshohet se gjuajti me armë

“Të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e zbatimit të ligjit dhe sektorit të drejtësisë. Mbështetja e SHBA-së për institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit, çon përpara një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multietnik. Ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Ndërkaq, sipas Policisë, suspendimi ka ndodhur pasi një zyrtar policor dyshohet se është përfshirë në gjuajtje me armë zjarri në incidentin që ka ndodhur në orët e vona të së hënës në veri të Kosovës./Telegrafi/