Telegrafi

Hovenier pret në takim tenorin Ramë Lahaj: Gjithmonë një kënaqësi për të mbështetur diplomacinë muzikore dhe shkëmbimin kulturor

Foto: U.S. Embassy Pristina, Kosovo/Facebook

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, ka mirëpritur në takim tenorin e njohur shqiptar me renome ndërkombëtare, Ramë Lahaj, si dhe këngëtarin amerikan të operës, Charles Castronovo.

Në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane janë publikuar fotografi nga ky takim, ku është njoftuar për festivalin “Rame Lahaj International Opera Festival” që organizohet këto ditë në kryeqytet.

“Ambasadori Hovenier: Jam i nderuar të mirëpres në Kosovë këngëtarin e njohur amerikan të operës Charles Castronovo së bashku me mikun tim dhe këngëtarin operistik kosovar të klasit botëror Ramë Lahaj. Performanca e tyre e 2 gushtit në sheshin Skënderbej premton të jetë e mahnitshme! Gjithmonë një kënaqësi për të mbështetur diplomacinë muzikore dhe shkëmbimin kulturor”, shkruhet në llogarinë zyrtare të Ambasadës së ShBA-së në Kosovë.

Takimi mes Ambasadorit Hovenier dhe dy këngëtarëve të njohur shënon një moment të rëndësishëm në promovimin e kulturës dhe muzikës në Kosovë. Festivali “Rame Lahaj International Opera Festival” pritet të sjellë një atmosferë të veçantë artistike në Prishtinë, duke bashkuar artistë të shquar nga mbarë bota.

Ky bashkëpunim artistik dhe mbështetja e Ambasadës Amerikane nënvizon rëndësinë e diplomacisë kulturore dhe shkëmbimeve ndërkombëtare në ndërtimin e lidhjeve më të forta mes kombeve. /Telegrafi/