Site icon Telegrafi

Hovenier: NDI luajti një rol kritik dhe thelbësor në zhvillimin e demokracisë në Kosovë

Me rastin e 25-vjetorit të operimit në Kosovë të Institutit Kombëtar të Demokratik (NDI), ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier ka thënë se NDI luajti një rol kritik dhe thelbësor në zhvillimin dhe ruajtjen e demokracisë në Kosovë.

Ambasadori Hovenier ka theksuar se që nga fillimi i NDI-së, SHBA-ja ka mbështetur programe të ndryshme të Institutit, ndërsa e ka quajtur dëshmi tjetër të përkushtimit të shtetit të tij ndaj Kosovës.

“Viteve të saj këtu, duke i ofruar NDI-së përafërsisht 40 milionë dollarë amerikanë për të mbështetur programet e aktivitetet në Kosovë gjatë kësaj kohe. Tani, arsyeja për këtë mbështetje të qeverisë amerikane për NDI-në në Kosovë është vërtet e thjeshtë. Puna e NDI-së në Kosovë është efikase, me kosto efektive dhe ka pasur ndikim të madh. NDI luajti një rol kritik dhe disa mund të argumentojnë një rol thelbësor në zhvillimin dhe ruajtjen e demokracisë në Kosovë. Dhe të gjithë ju që jeni mbledhur këtu sot jeni dëshmi e suksesit të NDI-së, përfaqësoni një gamë të gjerë partish politike, shumë prej të cilave marrin mbështetje kritike nga NDI me trajnime mbi organizimin e partisë, zhvillimin e politikave dhe fushatën në vitet pas luftës… E thënë thjesht, NDI ka ndihmuar që qeverisja në Kosovë të bëhet më efektive, më gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese”, theksoi ai.

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se në themel të këtij misioni është vizioni i ish-sekretares së shtetit, të ndjerës Madeleine Albright, e cila sipas saj, kurrë nuk hoqi dorë nga Kosova.

“Në themel të këtij misioni është vizioni i ish-sekretares së shtetit, të ndjerës Madeleine Albright, një mike e shquar e Kosovës, e cila jo vetëm na ndihmoi të bëhemi të lirë, të pavarur dhe demokratë, por një mike që besonte fuqishëm në të drejtat e popujve që të jetojnë në liri dhe në paqe, ajo kurrë nuk hoqi dorë nga Kosova, pa marrë parasysh mosmarrëveshjet herë pas here, pa marrë parasysh sfidat në rrugën tonë, ajo kishte besim të madh në Kosovën, ajo luajti një rol të pazëvendësueshëm në avancimin e pavarësisë së Kosovës në nivel global, dhe natyrisht, na ndihmoi të ndërtojmë demokracinë tonë brenda dhe vizioni i saj për një Kosovë të lirë dhe të drejtë na ka udhëhequr të gjithëve dhe vazhdon të udhëheqë angazhimet e NDI-së në vendin tonë”, theksoi ajo.

Vjosa Osmani theksoi se gjatë këtyre 25 viteve, shumë individë të dalluar kanë lënë gjurmë në Kosovë përmes punës së NDI-së.

Mes tyre, sipas saj janë shumë politikanë, akademikë, aktivistë që kanë ndihmuar të promovohet demokraci, forcimin e institucioneve dhe të përmirësohet jeta e qytetarëve tanë.

Një nga nismat më të spikatura të NDI-së, veçohet ajo e Javës së gruas, e cila ka promovuar fuqizimin e gruas në jetën publike, politike, e më gjerë. /KP/Telegrafi/

Exit mobile version