Telegrafi

Hovenier, Listës Serbe: E dimë saktësisht ku është kufiri – ju jeni parti opozitare në Kosovën e pavarur

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier, ka theksuar se SHBA-ja kërkon dhe pret që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhjet në veri.

Hovenier ka folur edhe për takimin e Listës Serbe me të dërguarin e posaçëm të Ëashingtonit për Ballkanin e Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Pashë disa komente të Listës Serbe pas takimit dhe dua të theksoj disa gjëra. E para është që SHBA-ja e konsideron Kosovën të jetë, dhe që nga viti 2008 nga shpallja e pavarësisë, ne e kemi njohur të jetë shtet i sovran, i pavarur dhe demokratik. Puna që bëjmë ne me Listën Serbe, si parti politike e Kosovës, është puna që e bëjmë edhe me të tjera parti opozitare në Kosovë. Nuk duhet të ketë pyetje apo sugjerim për qëndrimin e SHBA-së se Kosova është tjetër pos shtet i pavarur”, tha Hovenier.

Lexo po ashtu ​Hovenier ripërsërit kërkesat për depërshkallëzimin e plotë të situatës në veri

Ambasadori shtoi se kjo përfshin veriun e Kosovës.

“Siç e kam thënë shumë herë, ne e dimë saktësisht ku është kufiri. Është veriu i Mitrovicës. Ne duam që Lista Serbe ta luajë rolin e vet si parti politike në Kosovën sovrane, të pavarur dhe demokratike. Ne nuk e konsiderojmë parti politike serbe, e konsiderojmë si parti e serbëve etnikë në Kosovë. Duhet ta bëjmë këtë të qartë”, ka thënë Hovenier.

Ambasadori amerikan gjithashtu ka kërkuar depërshkallëzimin e plotë të situatës në veri.

Ai para mediave ka thënë se SHBA-ja kërkon zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura. /Telegrafi/