Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është shprehur i gatshëm për ta pranuar si tërësi draft-statutin e Asociacionit.
Ai në një adresim para mediave të enjten, ka deklaruar se drafti do të bëhet publik në një kohë të përshtatshme.
“Kryeministri Kurti na ka bërë me dije që është i gatshëm ta pranojë si tërësi draftin e Asociacionit. Dhe në një kohë të përshtatshme, jam i sigurt se publiku do ta ketë mundësinë ta vlerësojë draft-statutin. Ajo kohë do të përcaktohet në koordinim me Qeverinë e Kosovës dhe emisarin Lajçak”, është shprehur Hovenier.
Ambasadori amerikan ka shtuar se është i habitur me numrin e njerëzve që po e komentojnë draft-statutin pa e parë atë.
“Së pari jam befasuar nga numri i njerëzve që po e interpretojnë draft-statutin që nuk e kanë parë. Ky është një trik mbresëlënës. Në fund të ditës ata që nuk e kanë parë, nuk kanë shumë bazë për të folur rreth tij”, ka thënë Hovenier.
Sipas tij, draft-statuti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. /Telegrafi/