Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier.
Në një shkrim në Facebook, Osmani ka thënë se me Hovenier ka biseduar për situatën e sigurisë në vend, si dhe në fushën e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes.
Po ashtu, gjatë takimit u diskutua për vazhdimin e koordinimit mes institucioneve të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në adresimin e çështjeve prioritare.
Duhet theksuar se Ambasadori Hovenier, ditë më parë ka takuar edhe kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq.
Takimi i 4 gushtit u mbajt pas ngjarjeve të ditëve të fundit në veri, ku më 31 korrik, serbët lokalë vendosën barrikada në dy rrugët që çojnë për në pikat kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Ambasadori amerikan, Hovenier, pas takimit me Rakiqin, tha se masat e reciprocitetit janë legjitime dhe se takimi i Brukselit mes liderëve të të dyjave vendeve duhet të ndihmojë në uljen e tensioneve.
“I kujtova disa nga qëndrimet e SHBA-së për disa nga çështjet që përfshijnë masat e reciprocitetit që Qeveria e Kosovës ka dashur t’i vendosë. Nga këndvështrimi ynë ato janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe janë legjitime”, tha ambasadori Hovenier.
“Ne, gjithashtu, folëm për rëndësinë që të sigurohemi që shqetësimet e komunitetit serb të Kosovës të përfshihen në këto bisedime dhe të jenë një element se si do të vazhdojnë gjërat”, deklaroi Hovenier.
Po ashtu theksoi se në takimin mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Bruksel, më vonë gjatë këtij muaji, ata duhet të shikojnë si të arrijnë t’i ulin tensionet në disa prej çështjeve./Telegrafi/