Kompanitë amerikane që operojnë në Kosovë u takuan sot me kryeministrin Avdullah Hoti, për të diskutuar planet për zhvillim ekonomik të vendit, duke përfshirë lehtësimin e procedurave burokratike dhe lehtësirat e tjera të mundshme që do ta përmirësonin klimën e të bërit biznes në vend.
Në këtë takim të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë morën pjesë përfaqësues të kompanive Coca Cola HBC, Microsoft, Cisco, dhe Stone Castle, si dhe ish-kongresmeni amerikan Jerry Weller.
Kryeministri Hoti shpalosi planet e Qeverisë për krijimin e një mjedisi konkurrues të të bërit biznes në vend, derisa theksoi se rëndësi e veçantë po i kushtohet implementimit të projekteve që burojnë nga Marrëveshja e Washingtonit, të cilat do të mund të krijonin efekte multiplikative në ekonominë e vendit.
Sipas Hotit, planifikohet që në një periudhë nga 5 deri në 7 vite ekonomia e Kosovës të transformohet në një qendër të komunikimit rajonal. Për më tepër, kryeministri potencoi se Qeveria në bashkëpunim me Bankën Botërore po punon për të zvogëluar barrën administrative për bizneset, duke rishikuar një numër ligjesh dhe duke thjeshtësuar procedurat burokratike për të gjithë sektorët ekonomik.
Ai shtoi se është e domosdoshme të krijohen kushtet e nevojshme në tërë rajonin për të tërhequr investitorët e huaj të cilët tashmë po largohen nga lindja e largët.
Ish-kongresmeni Weller foli për nevojën e zhvillimit të një programi qeveritar në mbështetje të sektorit të prodhimit dhe eksporteve, marrë parasysh faktin se Sistemi amerikan i Përgjithësuar i Preferencave për prodhim dhe eksport, ku përfshihet edhe Kosova, skadon këtë vit.
Ndërsa, përfaqësuesit e kompanive amerikane anëtare të Odës Ekonomike Amerikane, patën mundësinë t’i adresonin nevojat dhe kërkesat e sektorëve në të cilët ata veprojnë, si dhe të ofronin rekomandimet e tyre për hapat që mund të ndërmerren drejt përmirësimit të klimës së të bërit biznes në Kosovë. /Telegrafi/