Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, të cilin e falënderoi për mbështetjen e përhershme që ky vend mik i ka dhënë Kosovës.
Gjatë këtij takimi, kryeministri Hoti potencoi se Qeveria e Kosovës aktualisht është e përqendruar sidomos në menaxhimin e pandemisë COVID 19, dhe në rimëkëmbjen ekonomike. Po ashtu, ai tha se Qeveria e Kosovës është tërësisht e përkushtuar të punojë për sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit.
Sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë, kryeministri Hoti tha se dialogu do të zhvillohet duke u bazuar në principe të qarta që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës. Pra, vijoi ai, ne angazhohemi për një marrëveshje që do t’i zgjidhte të gjitha çështjet e hapura me Serbinë dhe që do të rezultonte me njohjen e ndërsjellë.
Duke e uruar kryeministrin Hoti për detyrën e re, ambasadori Britanik Nicholas Abbott tha se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të përkrahë institucionet e Kosovës, si partner në projekte të përbashkëta, të cilat synojnë zhvillimin e Kosovës, forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, ekonominë dhe meritokracinë në rekrutime.
Kryeministri Hoti dhe ambasadori Abbott u pajtuan se pavarësia dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës janë të paprekshme. /Telegrafi/