Telegrafi

Hoti: Me rezervat shtetërore është bërë pazar

Deputeti i Lidhjes Dermokrarike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit gjatë ditës së sotme në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Hoti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se qeveria aktuale “ka humbur rrugën dhe duhet larguar sa më parë”.

“Me rezervat shtetërore është bërë pazar nga persona privat (sipas deklarimit në media). Ndërkaq, Ministrja sot e ka hallin se zyrtarët policorë, të cilët sot i kanë konfiskuar materialet nga Ministria, nuk kanë certifikatë të sigurisë për qasje në dokumentacion për rezervat shtetërore”, ka shkruar Hoti, transmeton Telegrafi.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policioa ka arrestuar sot tre persona, nën dyshimet se kanë bërë keqpërdorime sa u përket blerjeve të rezervave shtetërore.

Prokuroria tha se të arrestuarit dyshohen për veprat penale: “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) konfirmoi se dy prej të arrestuarve janë zyrtarë të saj. /Telegrafi/