Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se territori i Kosovës është i pandashëm dhe i panegociushëm.
Hoti deklaroi se janë të përkushtuar që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, por që për territor nuk do të diskutohet, transmeton Telegrafi.
“Për Qeverinë e Kosovës të cilën unë e udhëheq, territori i Kosovës është i pandashëm dhe i panegociueshëm. Në asnjë rast dhe nga askush nuk na është kërku të sjellim në tryezë të bisedimeve integritetin territorial. Jemi të përkushtuar që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë e cila duhet të kulmojë me njohjen reciproke mes dy vendeve”, ka thënë ai në fjalimin e tij në Kuvend.
Ky reagim i Hotit erdhi pas deklaratës së deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, e cila pohoi se Qeveria është e projektuar nga presidenti, Hashim Thaçi, dhe se ai ka përkrahur idenë për shkëmbimin e territoreve.
“Pas gjithë zhvillimeve të fundit, duket se ju jeni të vendosur të vazhdoni takimet. Pas konfirmimit që idea për shkëmbim territorial është shtyrë nga presidenti Hashim Thaçi dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq. Qeveria juaj e projektuar nga vetë Thaçi, dhe e varur nga Lista Serbe nuk ka pasur asnjë reagim, a do të thotë kjo se do të pajtoheni dhe do të vazhdoni jetësimin e idesë për ndarjen e territorit të Kosovës”, ka thënë Pacolli. /Telegrafi/