Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka pasur përplasje të ashpër verbale me zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në seancën e Kuvendit të enjten, ku po diskutohet për dialogun me Serbinë.
Fillimisht kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ia ka përmendur Kusari-Lilës pozitat politike që ajo ka mbajtur.
“Ish-këshilltares së Bajram Rexhepit në PDK, të ndjerit, ish-nënkryetares së Behgjet Pacollit në AKR, ish-zëvendëskryeministres së Hashim Thaçit në Qeveri, ish-partneres së koalicionit dhe ish-deputetes së Isa Mustafës në LDK dhe shefes se Grupit Parlamentar të Albin Kurti dhe s’po flas për pesë persona, por për një, nuk mund t’i flas për një çështje që s’e kupton e që është moraliteti dhe kurrizi politik”, ka thënë Abdixhiku.
Ndaj këtij deklarimi ka reaguar ashpër Kusari-Lila nga foltorja e Kuvendit, duke thënë se Abdixhiku ka përdorur gjuhë mizogjene ndaj saj.
“Sa i përket gjuhës seksiste e mizogjene që përdorni ndaj një gruaje, se s’jeni i pari, që mundoheni të bëni asociimin e një gruaje me burra të tjerë, unë po të tregoj se kam qenë vec në një parti në AKR dhe pastaj në Alternativa”, është shprehur ajo.
E më vonë ndaj shefes së deputetëve të LVV-së ka reaguar edhe ish-kryeministri i Kosovës, njëherit deputet i LDK-së, Avdullah Hoti.
“Zelli i saj për me ju shërby shefave që i ka ndërruar vazhdimisht është i gërditshëm dhe i poshtër. A e dini se çka bën kjo? Kush i ka gjasat më të mira për të fituar kjo ju shkon mbrapa. I ka shkuar PDK-së mbrapa, na ka ardh neve kur i kemi pasur gjasat me fitu në vitin 2017. E kur nuk fituam na la dhe shkoi në partinë tjetër”, ka thënë Hoti./Telegrafi/