Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë vazhdimin e seancës si dhe seancë të re plenare.
Në seancën e re plenare kryeministri i vendit, Avdullah Hoti do të raportojë lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Seanca plenare mbahet në ora 16:00.
Ndryshe, një ditë më parë në seancën e Kuvendit të Kosovës kishte debat të ashpër ndërmjet ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe deputetit të Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj.
Ky i fundit tha se a se është për keqardhje se si po menaxhohet pandemia COVID-19, teksa vdekjet e pacientëve të infektuar me virus i quajti “vrasje”.
“Sa ishte Qeveria Kurti nuk kishim të vdekur, e tani kemi të vdekur aksidentalisht, e besa mund t’i quajmë vrasje. Shprehu keqardhjen për keqmenaxhimin e pandemisë COVID-19. Pse nuk e shpallni gjendje të jashtëzakonshme”, tha ai, transmeton Telegrafi.
Pas kësaj, ka reaguar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj. Ai ka thënë se kualifikimet rreth vdekjeve në klinikat e QKUK-së, nuk i bëjnë nder askujt.
“Kualifikimi rreth vdekjeve në Klinikat tona nuk i bëjnë nder askujt pa qenë rrethanat e sqaruar dhe raportet zyrtare qoftë nga Prokurori dhe Inspektorati shëndetësor. Andaj kualifikimet deri në vrasje është papërgjegjësi totale, është fyerje për familjet e të vdekurve dhe tregon pafytyrësinë politike të adresimit të një çështje të tillë”, deklaroi ministri Zemaj.
Ndryshe, numri total i rasteve pozitive është 4.307 raste nga 26.916 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2.
Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 2.095 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.118.
Ndërkohë është njoftuar nga IKSHPK-ja për tetë të vdekur në 24 orët e fundit, duke çuar në 94 numrin e përgjithshëm të viktimave nga virusi. /Telegrafi/