Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti i është përgjigjur pyetjes së deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku i cili kërkoi nga Hoti që të vërtetojë nëse zëvendëskryeministri Goran Rakiq ka larguar nga zyra e tij, flamurin shtetëror të Kosovës.
Hoti tha se raportimet për këtë janë të pavërteta dhe se simbolet e shtetit janë siç kanë qenë.
“Simbolet e shtetit të Kosovës janë të pacenueshme. Asnjë ministër nuk do të ketë hapësirë me i lëvizë ato. Raportimet e ditëve të fundit janë të pavërteta. Simbolet e shtetit në atë zyrë dhe zyret e tjera janë ashtu siç kanë qenë”, ka thënë Hoti.
Deputeti Lushtaku ka thënë se në pamjet e publikuara nga mediat shihet se mungon flamuri i Kosovës në zyrën e Rakiq, dhe ka kërkuar shkarkimin e tij.
“Në të gjitha mediat në takimet e zv.kryeministrit shihen pamje që nuk ishte flamuri i Kosovës. Është mirë që të shkarkoni për shkak se nuk ka respektuar simbolet shtetërore”, ka thënë Lushtaku.
Kryeministri Hoti i ka kërkuar deputetit Lushtaku që një gjë të tillë ta verifikojë vet.
“Mund ta verifikoni vetë, jeni deputet i Kuvendit keni qasje në të gjitha zyrat… simbolet shtetërore janë ku kanë qenë dhe do të mbesin aty”, tha Hoti. /Telegrafi/