Ish-kryeministri i Kosovës, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, i cili sërish ka përmendur rrezikun e shpërthimit të një lufte në Kosovë.
Kurti, në një intervistë për mediat kroate, nuk e ka përjashtuar mundësinë e një lufte në Kosovë sepse në anën serbe të kufirit me Kosovën ka rreth 48 baza operative sulmuese progresive rreth kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, prej të cilave 28 janë ushtarake dhe 20 sosh i përkasin xhandarmërisë.
Pretendimet e Kurtit për mundësinë e një lufte të re i ka hedhur poshtë, ish-kryeministri dhe deputeti aktual i LDK-së, Avdullah Hoti, duke thënë se në Kosovë e rajon nuk do të ketë luftë
“Asnjë qeveri në rajon nuk mundet dhe nuk guxon të mendoj të nis luftë. Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë në NATO. Ndërkaq, NATO-ja është e vendosur në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë. Serbia është e rrethuar me anëtarë të NATO-s”, ka shkruar Hoti në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.
Hoti thotë se “e gjitha çfarë mund të jetë e pritshme të ndodh, është përballja e Kosovës dhe rajonit me kolaps ekonomik dhe demografik. Gjithmonë nëse nuk zbatohen politikat e duhura, nëse nuk lëvizet më shpejt drejt integrimit evropian dhe nëse nuk zgjidhen mosmarrëveshjet ekzistuese”.
“Disa politikanë që e përmendin luftën, e bëjnë për të mbuluar dështimin në qeverisje. E bëjnë për të zhvendosur vëmendjen e opinionit nga kriza energjetike, inflacioni i lartë e pakënaqësitë sociale”, ka shkruar Hoti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën kroate “Vecernji list”, ka folur hapur për situatën e përgjithshme në Kosovë dhe shprehu shqetësimin se Serbia po armatos fuqishëm ushtrinë e saj me pajisje që i merr nga Rusia dhe Kina dhe dëshiron që disi të vendoset në Ballkan si alternativë ndaj Perëndimit demokratik.
Sipas gazetës kroate, Kurti nuk e përjashton mundësinë e një lufte në Kosovë sepse në anën serbe të kufirit me Kosovën ka rreth 48 baza operative sulmuese progresive rreth kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, prej të cilave 28 janë ushtarake dhe 20 sosh i përkasin xhandarmërisë.
Kurti beson se do të ishte e papërgjegjshme të thuhet se nuk do të ketë kurrë konflikt, se nuk do të ketë më kurrë luftë. /Telegrafi/