Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur për herë të parë pas njoftimit të kryeministrit Albin Kurti për heqjen e pjesshme dhe të kushtëzuar të tarifës ndaj produkteve serbe.
Hoti ka thënë se ajo që është prezantuar nga kryeministri i vendit “nuk është vendim i Qeverisë”.
“Vendimet e qeverisë merren në mbledhje të qeverisë, jo në konferencë për media. Nuk mund të shkojë përpara asnjë vendim pa koordinim me partnerët qeverisës”, ka pohuar Hoti.
Hoti ka pranuar se nga Kurti është njoftuar paraprakisht për mbajtjen e konferencës për tarifën.
“Sot nuk ka qenë hera e vetme që kemi biseduar. Gjatë javës kemi biseduar disa herë, që të gjejmë zgjidhje, të pranueshme edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë, që të ecim përpara”, është shprehur Hot në t7.
Sipas tij, ajo çfarë u tha sot nga Kurti përbën vetëm “propozim të kryeministrit se si ai e sheh çështjen e tarifës dhe reciprocitetit”.
Hoti gjatë ditës së sotme ka kërkuar nga Kurti ta largojë taksën sepse në të kundërtën do të dëmtohen raportet me SHBA-në dhe BE-në, po ashtu do të izolohet Qeveria dhe vendi.