Telegrafi

Hoti paralajmëron telashe me disa projekte të parapara

Të hyrat dhe shpenzimet e projektuara në buxhetin e këtij viti do të ndryshohen me rishikim të buxhetit, thotë ministri i Financave, Avdullah Hoti, në një intervistë për KosovaPress. Ai paralajmëron se mund të ndodh që disa projekte që janë paraparë në buxhet të mos fillojnë për shkak të problemeve të ndryshme të vonesave. Ndërsa, kredia nga Fondi Monetar Ndërkombëtar do përdoret për bilanc bankar.

“Mund të ndodh që disa projekte që janë paraparë në buxhet, të mos fillojnë për shkak të problemeve të ndryshme të vonesave etj… Gjithashtu, shpenzimet do t’i vendosim në një rrafsh real, që projeksioni i të hyrave të jetë në përputhje me realitetin, sepse ne e dimë që në buxhetin e vitit 2015 të hyrat janë shumë të mbivlerësuara. U bënë pesë muaj që po e përcjellim në baza të rregullta javore performancën e të hyrave në Administratë Tatimore dhe në Dogana, e mbi këtë bazë do të bëhen projeksionet deri në fund të viti. Normalisht, ky projeksion do të reflektohet në buxhetin e rishikuar në qershor”, tha Hoti.

Sipas tij, programi i ri me FMN-në do të mundësojë bilanc të qëndrueshëm bankar.

“Nëse marrim mjete prej fondit, ato do të jenë për të plotësuar rezervat buxhetore për të pasur një bilanc bankar të qëndrueshme e të pranueshëm për çfarëdo situate. Me Fondin kemi biseduar për një shumë prej 150 deri në 200 milionë euro, që është shumë bukur e lartë kur kemi parasysh kuotën që e ka Kosova brenda Fondit Monetar Ndërkombëtar”, tha Hoti.

Ndërsa, sa i përket ankesave të bizneseve në raport me doganat, Hoti thotë se është i hapur për t’ju ndihmuar bizneseve në rast se ato konsiderojnë që u është bërë ndonjë e padrejtë.

“Nëse kompanitë mendojnë që drejtori i doganave dhe doganat kanë bërë shkelje, janë hapat ligjor që mund të ndiqen. Unë jam plotësisht i hapur që të mbështes bizneset në rast se mendojnë që kanë të drejtë”, tha Hoti.

Ai po ashtu ka thënë se propozimet për uljen e TVSH-së nga 16 në 8 për qind do të fillojnë të zbatohen në muajin korrik.