Telegrafi

Hoti para takimit në Uashington: Me Serbinë flasim vetëm për njohje reciproke

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pak para nisjes së takimit të sotëm në Uashington, ka thënë para gazetarëve se me Serbinë nuk diskutohet asgjë tjetër përveç njohjes reciproke.

“Asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë përveç njohjes reciproke. Marrëveshja e sotme që mund të arrihet për bashkëpunim ekonomik, është një hap më afër normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve mes dy vendeve, që është njohja reciproke”, tha Hoti, transmeton Telegrafi.

Hoti shtoi se sot do të diskutohet për projektet e zhvillimit ekonomik mes dy vendeve, dhe se pritjet i kanë jashtëzakonisht pozitive.

Kryeministri u tha gazetarëve që do të kenë informata sapo të kryejnë raundin e parë të takimit.

Takimet e para të dy delegacioneve nisin sonte, bashkë me emisarin special të SHBA-ve, Richard Grenell, dhe këshilltarin për siguri, Robert O’Brien. /Telegrafi/