Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti deklaroi sot se për disa javë do të arrijnë vaksinat antiCOVID-19 në Kosovë. Hoti, në mbledhjen e Komitetit për COVID-19, potencoi edhe njëherë qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, se Kosova nuk hyn në lojëra për ta marrë vaksinat që vijnë nga vendet e dyshimta.
Ai aludoi në këtë rast për vaksinën ruse Sputnik V dhe atë kineze. Këto komente Hoti i bëri në mbledhjen e Komitetit për COVID.
“Kemi bërë të gjitha përpjekjet për të sjellë vaksinën sipas standardeve të BE-së. Nuk kemi hyrë në lojëra për të sjellë vaksinën nga vendet e lindjes, vaksina këto të cilat nuk janë të certifikuara nga vendet e BE-së. Ata që kritikojnë pa nevojë nuk e tregojnë të vërtetën se ka kanë ardhur qindra vaksina në vendet e regjionit të cilat janë me origjinë të dyshimtë”, tha Hoti.
Ditë më parë edhe Ministri I Shëndetësisë Armend Zemaj, ka deklaruar se “megjithëse gjendja me COVID në Kosovë nuk është e lehtë, Kosova nuk do ta marrë kurrë vaksinën ruse”.
Edhe Agjencia Evropiane e Barnave, ka bërë thirrje për vendet anëtare të BE-së, që mos ta pranojnë me vendim kombëtar vaksinën ruse. /Telegrafi/