Site icon Telegrafi

Hoti: Kurti sot shkarkoi veten

Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, ka reaguar pas vendimit të kryeministrit Kurti për shkarkimin e Agim Veliut nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, duke thënë se Kurti nuk e ka shkarkuar Veliun, por veten e tij.

Hoti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “vendim i Kurtit tregon mungesë totale të përgjegjësisë institucionale dhe ndjeshmërisë ndaj situatës nëpër të cilën po kalojmë si shoqëri, por edhe të mungesës së etikës në bashkëpunim me partnerë”.

Postimi i plotë i Hotit:

“Vëmendja jonë ka qenë dhe është tek menaxhimi i situatës, jo tek lojërat politike.

Vendim i Kurtit tregon mungesë totale të përgjegjësisë institucionale dhe ndjeshmërisë ndaj situatës nëpër të cilën po kalojmë si shoqëri, por edhe të mungesës së etikës në bashkëpunim me partnerë.

LDK-ja funksionin ndryshe, si në parti ashtu edhe në institucione. Zyrtarët e saj shfaqin lirshëm mendimin e tyre mospajtues me udhëheqësin, por ata në të njëjtën kohë janë të përgjegjshëm ndaj detyrave që kanë.

Duket qartë se Kurti nuk funksionon kështu. Keq për të.

Sot Kurti nuk e ka shkarkuar z.Veliu, por veten e tij, duke ikur kështu nga përgjegjësitë shtetërore ndaj qytetarëve në një moment të vështirë për të gjithë”, ka shkruar Hoti.

Një deklaratë e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu në favor të dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, është pasuar me vendimin për shkarkimin e tij, nga ana e kryeministrit, Albin Kurti.

Lexo po ashtu Shkarkimi i Veliut, Kryesia e LDK-së vendos sot rreth koalicionit me LVV-në

Por, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili i kërkoi Kurtit ta anulojë vendimin, në të kundërtën, gjithë kjo situatë, sipas tij, mund të çojë në prishjen e koalicionit.

Lexo po ashtu Kurti shkarkon Agim Veliun

Kryesia e LDK-së pritet të mblidhet rreth orës 18 për të vendosur se çfarë do të ndërmarrë, përfshi edhe vendimin eventual për të ardhmen e koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen. /Telegrafi/

Exit mobile version