Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se Kurti e ka mirë me targat, por sipas tij partnerët ndërkombëtarë kanë vlerësuar se kjo nuk është koha e duhur për të zbatuar atë marrëveshje.
Hoti përmes një postimi në Facebook, tha se Kosova ka pasur gjithmonë të drejtë në çdo veprim që ka ndërmarrë në 30 vitet e fundit në përpjekjet e veta për të fituar fillimisht lirinë, e mandej shtetin e pavarur dhe fuqizuar sovranitetin shtetëror, rendin dhe ligjin.
“Në veprimet e ndërmarra lidhur me targat e automjeteve në komunat në veri, Kosova ka plotësisht të drejtë. Këtë e kanë konfirmuar edhe miqtë. Por është e qartë se Kosova nuk e ka mbështetjen e miqve për kohën e ndërmarrjes së këtyre veprimeve”.
Hoti thotë se pa mbështetjen e miqve në vend të institucioneve tona do të reagojnë EULEX-i apo KFOR-i.
“Nëse këto veprime të Qeverisë, që janë të drejta por që nuk e kanë mbështetjen e miqve vetëm sa i përket kohës së ndërmarrjes së tyre, çojnë në situatë kur në vend të institucione të Kosovës aktivizohet KFOR-i e EULEX-i për të ruajtur rendin dhe sigurinë në ato komuna, atëherë është e qartë se kjo politikë e Qeverisë nuk u ka shërbyer interesave të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, përpjekjet e Kosovës kanë sukses vetëm kur janë të koordinuara dhe të mbështetura nga miqtë euroatlantikë.
“Ne e kemi shpallur njëherë pavarësinë në fillim të viteve të ‘90-ta. Mandej e kemi shpallur prapë më 2008, për shkak se herën e parë nuk ka pasur mbështetje nga miqtë”, shtoi ai.
Ndryshe, të dielën në veriun e Kosovës u mbajtën protesta të organizuara nga Lista Serbe, një ditë pas vendimit për t’u tërhequr nga institucionet e vendit.
Përfaqësuesit politikë të serbëve në veriun e Kosovës akuzuan qeverinë e Kosovës për moszbatim të marrëveshjeve të Brukselit.
Kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviçit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, dhanë dorëheqje nga postet e tyre së bashku me këshilltarët komunalë nga radhët e Listës Serbe./Telegrafi/