Telegrafi

Hoti kundër Qeverisë gjithëpërfshirëse dhe koalicionit me VV-në

Koalicioni LAA, nuk e përkrah idenë e themelimit të një Qeverie gjithëpërfshirëse për tejkalimin e krizës politike në vend. Avdullah Hoti, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, dhe kandidat për kryeministër nga radhët e koalicionit LAA, ka përjashtuar edhe koalicionin me VV-në, sepse ka sulmuar institucionet e vendit.

Deputeti i LDK-së Arben Gashi dje ka deklaruar se formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse do të mundësonte që vendi të dilte nga kriza politike. Por, ndryshe mendon Avdullah Hoti, shefi i Grupit Parlamentar të këtij subjekti.

Hoti ka deklaruar të martën për Express se PDK nuk e ka shumicën.

‘’Qëndrimi i Koalicionit të LDK-së është i qartë. Zgjedhjet e fundit kanë prodhuar një rezultat, ku PDK nuk mund të bëjë shumicën parlamentare“, ka thënë Hoti për Express.

Hoti tutje është shprehur se LDK nuk do të bëjë koalicion me PDK-në e as Vetëvendosjen, pavarësisht se kjo e fundit haptas e ka ftuar për koalicion LDK-në.

”Qeveria e re nuk mund të udhëhiqet nga njerëz që kanë kapur institucionet dhe as nga njerëz që kanë sulmuar institucionet”, ka deklaruar Hoti

E ndërkohë ai është shprehur se do të punojnë për ta bërë shumicën e nevojshme në mënyrë që me vendin të udhëheqë koalicioni LAA.

”Vetëm koaliconi i LDK-së mund të formojë një shumicë të tillë. Ne do të angazhohemi që të formojmë shumicën e nevojshme për të udhëhequr me vendin, një shumicë që siguron Qeveri proevropiane, me fokus të qartë në sundimin e rendit dhe ligjit, një qeverisje me duar të pastra. Është vetëm LDK që mund t’i ofrojë vendit një qeveri të tillë, duke u nisur nga përvoja institucionale që ka”, ka thënë për Express Hoti.

Pas pothuajse dy muajsh që prej mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, Kuvendi më 3 gusht nisi seancën konstituive. Në mungesë të deputetëve të koalicionit PAN është shtyrë konstituimi i Kuvendit, pasi në seance nuk janë paraqitur deputetët e këtij koalicioni.

Ndërkohë që kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci, seancën e radhës e ka thirrur për të enjten. Kundërshti kanë pasur koalicioni PAN, të cilët janë deklaruar se Mikullovci po vepron në mënyrë arbitrare.