Telegrafi

Hoti kritikon Kurtin: Shkon në konventën e demokratëve në SHBA e takohet me diasporën, askush nga administrata se pret

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke i kujtuar atë se Kosova është nën sanksione për më shumë se një vit dhe se ai ka marrë “kërcënime” nga aleati kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në rast se veprimet e pa koordinuara të qeverisë së tij rrezikojnë ushtarët amerikanë.

Hoti thotë se askush në administratën amerikane nuk e pret Kurtin.

Lexo po ashtu Kurti i kërkon Serbisë t'i kthehet marrëveshjeve: Kosova është e gatshme t'i zbatojë ato

“Kosova është nën sanksione për më shumë se një vit. Kryeministri ka marrë ‘kërcënime’ nga aleati kryesor, SHBA, nëse qeveria e tij me veprime të pakoordinuara rrezikon ushtarët amerikanë. Askush në administratën amerikane nuk e pret në nivelet që duhet pritur një kryeministër. Por, ai shkon në konventën e demokratëve dhe ndërkohë takon pjesëtarë të komunitetit tonë atje dhe u tregon dogmat e tij që nuk i beson askush për zhvillim në Kosovë.”

Hoti gjithashtu theksoi se faktet tregojnë një rritje të korrupsionit, një rënie të standardit të jetesës, dhe një emigrim masiv të të rinjve nga Kosova. Ai vuri në dukje se investimet e jashtme janë reduktuar në blerjet e banesave nga mërgata./Telegrafi/