Site icon Telegrafi

Hoti: Kosovës iu bë dëm i madh kur qeveria aktuale braktisi dialogun për njohje reciproke

Foto: Arkiv

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ,ka kritikuar Qeverinë Kurti për qasjen e treguar ndaj procesit të dialogut me Serbinë në Bruksel.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se Qeveria aktuale, në vend që të insistojë në mbyllje të dialogut me njohje reciproke, propozoi ‘traktate’ për mos-sulm dhe për zëvendësim të CEFTA-së, të cilat u injoruan nga BE-ja.

“Kosovës iu bë dëm i madh kur qeveria aktuale e braktisi dialogun për njohje reciproke, të cilin qeveria ime me ndihmën e partnerëve e kishte kornizuar shumë qartë. Samiti i Parisit (në korrik 2020), Marrëveshja e Uashingtonit (në shtator 2020) dhe shumë takime bilaterale me vendet e Quintit, e kornizuan qartësisht dialogun sa i përket qëllimit, përmbajtjes dhe kohës të arritjes së marrëveshjes finale, si dhe e detyruan Serbinë të nisë procesin e arritjes së marrëveshjes finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve me Kosovën”, tha Hoti.

Tutje shtoi se dialogu për njohje reciproke degradoi në dialog për tabela të veturave.

“Në takimet e Komisionit për Stabilizim-Asociim, të mbajtura në Prishtinë në nëntor 2021 dhe në Bruksel në mars 2022, mazhoranca qeverisëse në Kosovë u zotua për zbatim të marrëveshjeve paraprake të dialogut, të cilat brenda Kosovës i kritikon dhe i kundërshton fuqishëm. Ndërkaq, tani kur duhet marrë përgjegjësi shtetërore dhe duhet treguar seriozitet para partnerëve, nuk dinë çfarë të thonë”, përfundon Hoti, njofton Telegrafi.

Exit mobile version