Site icon Telegrafi

Hoti: Kemi lëvizje në arritjen e marrëveshjes

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se në bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje ka lëvizje në arrijen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Hoti, përmes një postimi në Facbook, ka kujtuar se takimi i ardhshëm do të ndodhë të enjten.

“Kemi lëvizje në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje në mes të dy partive.
Nesër takohemi prapë”, ka shkruar ai.

Të njëjtën e ka konfirmuar edhe LVV përmes një komunikate, ku është thënë se ka përafrim në bisedim për formimin e koalicionit qeveritar, ndërsa nesër do të takohen përsëri.

Kryetarët e dy partive politike fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, Albin Kurti i LVV-së dhe Isa Mustafa i LDK-së, për dy ditë me radhë janë takuar në Kuvendin e Kosovës në përpjekje për arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Të dy takimet kanë zgjatur nga tre orë dhe krerët e partive politike nuk kanë dhënë asnjë deklaratë për media, për veç zëdhënësit të LDK-së, i cili në dy rastet ka njoftuar se do të takohen sërish nesër për të vazhduar bisedimet. /Telegrafi/

Exit mobile version