Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti deklaron se Lidhja Demokratike e Kosovës i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe është e gatshme të shkojë në zgjedhje të parakohshme për të përmirësuar situatën aktuale të vendit.
Deputeti nga radhët e LDK-së, Hoti në një intervistë për kp derisa thotë se Qeveria Kurti tashmë është dorëzuar, ai uron që procesi zgjedhor të ndodhë sa më shpejtë në mënyrë që të ketë një qeveri të përgjegjshme që udhëheq vendin në bashkëpunim me aleatët, pasi sipas tij, kjo ka munguar me qeverinë aktuale.
Ish-ministri i Financave thekson se nga vizitat e tij në Evropë dhe në terren ‘shihet se dëshpërimi me qeverinë në pushtet është në kulm’.
Teksa numëron dështimet, ai konsideron se kjo qeveri ‘ia ka dhënë të mbrapshtën edhe dialogut mes Kosovës dhe Serbisë’, pasi që sipas tij, edhe qasja e aleatëve ka ndërruar në mënyrë negative në këtë drejtim me Qeverinë Kurti.
“Ka disa muaj që kryeministri i vendit është dorëzuar, është i gatshëm të shkojë në zgjedhje, dhe në ndërkohë nuk është duke ndodhë asgjë. Kuvendi i Kosovës është pothuajse jo efektiv, mblidhemi në tre javë në seanca të cilat nuk funksionojnë fare pasi nuk ka vullnet nga shumica për ta quar agjendën legjislative përpara. Opozita është kundër plot proceseve që kanë ndodhë në Kosovë dhe është duke e pamundësuar funksionimin normal, sepse gati këta janë në shpartallim e sipër si funksionim qeveritar. Unë shpresoj se procesi zgjedhor të ndodhë sa më shpejtë që të kemi një qeveri të përgjegjshme që merr përsipër udhëheqjen e vendit në bashkëpunim me aleatet duke u marrë me prioritetet e këtij vendi siç është ekonomia dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët, është fatkeqe për shtetin e Kosovës që jemi me një situatë ku është izoluar komunikimi i rregullt jo vetëm me aleatët ndërkombëtar, por edhe me shqiptarët në rajon. Asnjëherë Kosova nuk i ka pas marrëdhëniet më të acaruara me Shqipërinë, shqiptaret në Maqedoninë e Veriut, me forcat politike të shqiptareve në Luginë të Preshevës”, deklaron Hoti.
Nga vizitat në terren, Hoti thotë se qytetarë të shumtë janë të dëshpëruar me udhëheqjen e tanishme, për çfarë thotë se LDK ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme t’ua kthejë besimin qytetarëve.
“Kemi shtrirë prezencë shumë të mirë në diasporë ku janë 40 për qind e qytetarëve të Kosovës, po vazhdojmë të bëjmë një opozitë dinamike konstruktive, të argumentuar më shifra, analiza konkrete për t’i informuar qytetarët si është qeverisur deri tash. Të gjitha përgatitjet në aspektin partiak i kemi bërë, nuk ka asnjë problem për neve. Përkundrazi, ne kërkojmë që sa më parë të ballafaqohemi me procese zgjedhore dhe të japim vendin e një qeverie që është e përgjegjshme. Jam shumë në terren, kam dalë intensivisht gjatë këtyre muajve në diaspore, po takohemi me qytetarët tonë atje. Dal në terren shumë, në veçanti në rajonin e Dukagjinit, kam kontakte shumë të shpeshta me komunitetin e biznesit në nivel vendi, me OJQ të ndryshme, me grupe të caktuara të qytetarëve , kam një perceptim se si e shohin njerëzit këtë qeverisje. Dëshpërimi me këtë qeveri është në kulm. Shihni grupet e qytetarëve, s’ka komunikim me bizneset, është i lënë anash, ka pas luftë me sindikatat, policet, protestat që kanë bërë njësitë speciale pra qeverisë, komunikimi mes qeverisë dhe arsimtarëve është në pikën më të ulët që ka ekzistuar ndonjëherë, ky është sondazhi për mua që më jep të besoj se duhet të kthehet besimi i qytetarëve në LDK”, thekson Hoti.
“Në çështjen e dialogut na ka dhënë të mbrapshtën si shtet, sepse e ka nxjerrë dialogun nga binarët që do duhej të qonin në njohje reciproke, e ka vendosur në binarë të cilët merren vetëm me menaxhimin e krizave që krijohen në terren nga ky proces. Deri në vitin 2022 kemi pasur vazhdimisht letrat e presidenteve amerikan e të liderëve tjerë të BE-së që i kërkonin Kosovës dhe Serbisë që të angazhoheshin në dialog për njohje reciproke, nga viti 2022 e këndej ka ndërruar qasja e tyre për shkak të sjelljes së qeverise në Kosovë. Më vjen keq për këto, sepse pasojat do të barten viteve në vijim, duke qenë se një marrëveshje që është arritur në Bruksel dhe aneksi i saj në Ohër tani kanë vendosur një status-quo të re në proces të dialogut që nuk përfshin njohje, por që ka asociacionin në qendër dhe që kushtet e parapara në atë marrëveshje, tani na kanë bërë kriteret për integrim evropian”, thekson Hoti.
I pyetur nëse mund të përsëritet sulmi në Banjska, ai thotë se nuk pret serish një tension të tillë, porse shton se do të ketë vështirësi në integrimin e pjesëtarëve të komunitetit serb në institucionet e Kosovës.
“Shpresoj se jo, sepse në bazë të deklarimeve, qëndrimeve, aleatet ndërkombëtar tani janë shumë më të përfshirë në mbikëqyrjen e situatës atje. Forcat e KFOR-it janë të katërfishuara në atë pjesë të vendit, në bazë të zhvillimeve nuk pres të ketë problem siç ka qenë vitin e kaluar. Atë që pres duket se do të kemi shumë vështirësi për t’i integruar pjesëtarë të komunitetit serb në institucionet e Kosovës, dhe besoj se është jetike, shumë e rëndësishme për paqen, sigurinë, për integrimet euro atlantike të shtetit të Kosovës që të sigurohemi që gjitha komunitetet janë të përfshira, jo vetëm formalisht në institucione, por që të jenë pjesë e shoqërisë dhe ekonomisë në Kosovë”, shton Hoti.
I shqetësuar shprehet edhe me vendosjen e masave sanksionuese nga BE-ja karshi vendit tonë. Hoti thotë se me ardhjen në pushtet të kësaj qeverie, qytetarët janë duke i parë pasojat çdo ditë.
Ai derisa thotë se nevojitet më shumë bashkëpunim me aleatët, shprehet se me Qeverinë Kurti nuk ka anëtarësime të reja në organizatat ndërkombëtare.
“Themelimi i shtetit të Kosovës, liria, pavarësia, funksionimi dhe integrimi ndërkombëtar i shtetit të Kosovës është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë që kemi pasur vazhdimisht me aleatet, i cili bashkëpunim tashmë është e qartë se është cenuar gjatë kësaj qeverie, kryesisht për shkak të pozicionit që ka pas kjo qeveri, që plotë çështje kanë qene veprime kushtetuese, por që nuk janë koordinuar mjaftueshëm me aleatet dhe kanë krijuar një situatë të pakëndshme për shtetin e Kosovës. Pasojat jemi duke i parë, gati përmbyllet mandati i kësaj qeverie pa njohje të reja, dhe pa anëtarësime të reja dhe me cenim të bashkëpunimit të përditshëm me aleatet. Nga data 1 korrik e këndej po bëhen 10 muaj gati që ne jemi nën masa të BE-së, si vendi i vetëm në regjion dhe më gjerë. Janë rreth 300 milion euro buxhet drejtpërdrejt që është i bllokuar për projekte të ndryshme, por nuk është vetëm kostoja financiare, është kostoja politike për shtetin e Kosovës sa i përket proceseve euro integruese të Kosovës”, thotë Hoti.
Ndonëse vendi është përballur me krizën e energjisë dhe inflacionin, Hoti thotë se për dallim të vendeve tjera që e kanë menaxhuar mirë situatën me këtë çështje, vendi ynë ka pasur mungesë të politikave të mirëfillta fiskale.