Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka thënë sot se koalicioni qeverisës është stabil dhe nuk ka arsye për kombinime tjera qeverisëse.
Hoti këto komente i bëri në konferencën e mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë, pas pyetjes nëse janë të gatshëm të përfshijnë në koalicion edhe Partinë Demokratike të Kosovës.
“Për këtë duhet ta pyesni kryetarin e LDK-së. Por, koalicioni qeverisës është duke funksionuar, i pat vendimet e rëndësishme që sot i morëm. Qeveria është stabile dhe për aq kohë sa është stabile nuk shoh arsye për kombinime tjera”, u shpreh Hoti, duke shtuar se janë duke e respektuar marrëveshjen e koalicionit qeverisës, raporton Telegrafi.
Ndryshe, ditë më parë Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka hequr të gjitha vijat e kuqe për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se vijat e kuqe ndaj PDK-së u hoqën për shkak të vështirësive për të bërë zgjidhje. /Telegrafi/