Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në një intervistë për “Përballje ditore”, ka folur për procesin e zgjedhjeve të brendshme të kësaj partie.
Gjithashtu ai ka komentuar edhe incidentet që kanë ndodhur në disa nëndegë dhe degë të zgjedhjeve të brendshme në këtë subjekt politik. Hoti i ka quajtur këto raste si të izoluara dhe që nuk janë në kulturën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Ka incidente të caktuara siç ka ndodhur në Mitrovicë, në kuvendin zgjedhor të një nëndege të Mitrovicës, ku kam marrë pjesë në fillim të punimeve të Kuvendit dhe më pas nuk ka pasur dakordim se si të procedohet tutje, unë e kam lëshuar mbledhjen dhe më pas ka pasur një incident pasi që unë e kam lëshuar mbledhjen, edhe në Prishtinë ka ndodhur një mosmarrëveshje e tillë. Por këto janë raste të izoluara nuk janë normë e zhvillimit të brendshëm të zgjedhjeve të LDK-së, unë përçoj edhe një herë mesazhin e kryesisë së LDK-së tek të gjithë ata aktivistë që janë në proces zgjedhor në degë e nëndegë të caktuara që të tregojnë kulturën e LDK-së, nuk ka vend në LDK për sjellje të tilla, nuk janë në natyrën tonë”, ka thënë Avdullah Hoti gjatë intervistës për Telegrafin.
Hoti theksoi se askush nuk mund të imponohet në struktura të LDK-së përmes këtyre formave, duke shtuar se më këto raste është duke u marrë kryesia e partisë.
“Kryesia qendrore është duke u marrë më këto raste, ne kemi themeluar një komision për ankesa, me nënkryetarët e partisë me sekretarin e partisë dhe dy kryetarët të komunave të cilat janë duke u shqyrtuar këto ankesa dhe besoj që janë duke marrë vendime meritore se si të procedohen këto raste”.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së tha se ka shumë interesim të anëtarëve të LDK-së për të marrë pjesë në zgjedhjet e brendshme, dhe se procesi i zgjedhjeve është duke shkuar mirë në vendet tjera. /Telegrafi/