Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti sot ka zhvilluar një takim me të ngarkuarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Hoti përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se prej muajit korrik të vitit të kaluar dialogu Kosovë-Serbi ka rifilluar mbi tri parime bazë: marrëveshja përfundimtare, sovraniteti e integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pa negociueshëm dhe Kushtetuta e Kosovës është e paprekshme.
“Emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak falënderova për bashkëpunimin e deritanishëm në ndërmjetësimin e procesit të dialogut me Serbinë dhe i dëshirova sukses në finalizimin e këtij procesi. Prej korrikut 2020, dialogu rifilloi mbi tri parimet bazë: do të diskutohet për marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke, sovraniteti e integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pa negociueshëm, ndërsa Kushtetuta e Kosovës është e paprekshme”, ka shkruar Hoti në Facebook. /Telegrafi/