Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tha të mërkurën gjatë takimit me strukturat e kësaj partie në Drenas, se falë qeverisjes së LDK-së në muajt e fundit është rikthyer partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare.
“E kemi marrë qeverisjen kur Kosova ishte e izoluar dhe me sanksione. Por pas disa javësh kemi kthyer relacionet me bashkësinë ndërkombëtare, kishim disa vizita në Bruksel e në vendet tjera evropiane. Pastaj erdhi marrëveshja e Uashingtonit që është e mirë për Kosovën. Ne e morëm qeverinë në kohën kur kishte kërcënime serioze për tërheqje të trupave amerikane ndërsa arritëm si qeveri që ushtrinë e Kosovës ta dërgojmë në misione bashkë me ushtrinë amerikane. Ky është ndryshim komplet i kursit, si dita me natë, me ata që ishin para nesh në qeverisje”, tha Hoti.
Ai tha se falë qeverisjes së mirë, është menaxhuar me sukses edhe situata me pandeminë dhe pasojat që ka sjell në ekonomi.
“Kosova po e menaxhon pandeminë me sukses. Këto janë vlerësimet ndërkombëtare. Presim që edhe vaksina të vijë në muajin shkurt. Sa i përket situatës me ekonominë kemi arritur që të zvogëlojmë rënien ekonomike. Parashikimet ishin se do kemi rënie ekonomike prej 11 % por me veprimet që i morëm e kemi përgjysmuar këtë shifër. Përveç mjeteve që tashmë janë futur në ekonomi, në janar do fillojmë zbatimin e pakos së re në vlerë prej 222 milion euro”, tha Hoti, thuhet në njoftimin për media.
Sipas tij si kurrë më parë është më rëndësi mobilizimi i elektoratit të LDK-së, në mënyrë që mos të lejohet që Kosova të lëvizë nga kursi pro perëndimor.
“Ne nuk do ta kursejmë askënd në këtë fushatë. Nuk do të lejomë që njerëzve tu shpërlahet truri. Kosova që tre ditë përballet me vërshime, Kurti në vend se të kërkoj angazhim nga qeveria, ai del dhe kërcënon se me prokuror do të angazhohet se diku një rrugë apo një gardh nuk është ndërtuar mirë. Ai flet për këto gjëra në kohën kur njerëzit janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Ne duhet të bëjmë çdo që që të pamundësojmë këtë model të qeverisjes”, tha Hoti. /Telegrafi/