Site icon Telegrafi

Hoti dhe Zemaj sot takim me Këshillin e Asociacionit të komunave, flasin rreth masave të reja antiCOVID-19

Foto: Arkiv

Sot pasdite do të mbahet takim i Këshillit të kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj për të diskutuar rreth situatës me COVID 19 si dhe për çështje tjera sa i përket masave.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti një ditë më parë duke folur për gjendjen me COVID-19 në vendin tonë, ka thënë se në dy javët e fundit, si rezultat i masave të vendosura nga Qeveria, është arritur të ulen rastet aktive për rreth 15%, derisa ka shtuar se do ta monitorojnë situatën dhe mbikëqyrin zbatimin e masave.

Sipas tij, institucionet shëndetësore do të mbesim të mobilizuara. Ndërsa, ka njoftuar se po përgatisin skenarët për masat e nevojshme për festat e fund vitit kur ka frekuentim më të madh të qytetarëve, përfshirë edhe ardhjen e bashkatdhetarëve.

Ndryshe, numri total i rasteve pozitive në vend është 46.580 raste nga 163.221 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.198 raste të vdekjes.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njofton se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 33.600 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.782. /Telegrafi/

 

Exit mobile version