Telegrafi

Homazhe për doajenin Ismet Peja, Hoti: Ai ka hyrë në historinë artistike të Kosovës

(Foto: Telegrafi/Ismet Peja)

Para objektit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë janë hapur homazhet për të nderuar jetën dhe veprën e ikonës muzikore shqiptare, Ismet Peja.

Doajeni i muzikës shqipe ndërroi jetë në orët e hershme të të hënës (23 nëntor) në moshën 83 vjeçare.

Në hyrje të objektit të MKRS është shpalosur edhe një portret i madhe i Ismet Pejës, si dhe janë vënë lule, ndërsa janë lëshuar edhe këngët e pavdekshme të tij.

(Foto: Telegrafi/Ridvan Slivova)

Djali i këngëtarit, Visar Peja, ka njoftuar se varrimi i legjendës do të bëhet ditën e sotme (e hënë, 23 nëntor) në orën 15:00 në varrezat e qytetit në Gjakovë.

Me këtë rast, homazhe para objektit të Ministrisë ka bërë edhe kryeministri Abdullah Hoti, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi.

Lexo po ashtu Telegram ngushëllimi i ministres Dumoshi për ndarjen nga jeta të ikonës Ismet Peja: Kemi humbur një njeri e një artist të papërsëritshëm

Kreu i Qeverisë theksoi se Ismet Peja do të mbahet mend për këngët e tij, me të cilat janë rritur të gjithë shqiptarët, ndërsa këngëtari ka hyrë në historinë artistike të Kosovës.

Derisa ministrja Dumoshi e ka quajtur të trishtë lajmin për vdekjen e ikonës shqiptare të muzikës. /Telegrafi/

(Foto: Telegrafi/Ismet Peja)