Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan ka reaguar sot ndaj deklaratës së vendeve të QUINT-it, të cilat kërkuan nga Qeveria e Kosovës të zbatojë vendimin për pronat e Manastirit të Deçanit, duke thënë se është një presion i papranueshëm karshi institucioneve të Kosovës.
Ambasadorët e QUINT-it duhet mos të bëjnë presion ndaj institucioneve të Kosovës për të zbatuar një vendim antikushtetues dhe antiligjor, i cili do të prodhoj precedent të rrezikshëm për Kosovën, thuhet në reagim.
Historianët e Deçanit i bëjnë thirrje institucioneve të Kosovës që të mos zbatohet vendimi antikushtetues dhe antiligjor i Kushtetueses për pronat dhe ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria”, të cilat po mundohen t’i falen Manastirit të Deçanit, duke u thirrur në ligjet e kohës së masave të dhunshme të Slobodan Milosheviq.
“Ne pyesim, çka është në pyetje kjo urgjencë e ndërkombëtarëve për të zbatuar një vendim i cili bie ndesh me liritë dhe të drejtat e njeriut”, përfundon reagimi i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan.
Ndryshe, igumeni i Deçanit, Sava Janjiq, kishte dërguar në Kushtetuese dy vendime. Sipas këtyre vendimeve, pronat prej 24 hektarësh tokë që i ishin dhuruar Manastirit të Deçanit me një marrëveshje të Qeverisë së Serbisë dhe këtij manastiri në vitin 1997, lidheshin me ish-Agjencinë e Mirëbesimit dhe pasardhësen e saj Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte aprovuar ankesën e Manastirit të Deçanit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte përkrahur nga Dioçeza e Kishës Ortodokse Serbe për Rashkën dhe Prizrenin, duke vlerësuar se Gjykata ka treguar gatishmërinë dhe kompetencë për të marrë një “vendim të paanshëm ,me të cilin mbrohet e drejta në pronë e Manastirit”.
Udhëheqësit e Manastirit të Deçanit, i cili mbrohet nga UNESCO-ja, nuk kanë dhënë pëlqim as për vazhdimin e rrugës Deçan-Plavë, që lidh Kosovën me Malin e Zi. /Telegrafi/