Nga: Nasho Jorgaqi
I gjatë e trupdrejtë, veshur me një kostum gri dopiopetë, me një pamje intelektuali disi të kapërcyer, plot sqimë e delikatesë, ai më zgjati dorën duke hequr kapelën republikë me një elegancë që mua më tërhoqi menjëherë vëmendjen. E ftova të ulet dhe ndërkaq mendova për moshën, që ishte vështirë ta përcaktoje prapa pamjes së tij të mbajtur me aq kujdes. Por dukja e parë tregonte për një moshë të pragut të pleqërisë.
“Të më ndjeni që erdha pa ju njoftuar më parë, – dëgjova të më thotë me një zë të përkorë. – Unë jam Myqerem Janina, përkthyes i osmanishtes në Institutin e Shkencave, por përkthej edhe nga turqishtja e sotme.” Dhe ndërsa unë po i thosha fjalët rutine të mirëseardhjes, ai nxori nga xhepi i brendshëm i xhaketës një zarf të hapur dhe ma zgjati.
“Është një tregim i humoristit të madh turk, Azis Nesimit, për të cilin besoj se keni dëgjuar. E kam përkthyer në shqip dhe dëshiroj t’ja bëj të njohur lexuesit shqiptar nëpërmjet gazetës suaj të nderuar.”
“Faleminderit, – i thashë si i hodha një vështrim dorëshkrimit. – Me sa di është shkrimi i parë i tij në gjuhën tonë.” “Po, – më tha, – bile dërguar nga ai në adresën time. Kam një njohje miq pas miqsh me të. Sepse, që ta dini, unë kam lindur në Stamboll (1890) dhe kam studiuar për histori e letërsi në Universitetin e tij. Janë këto lidhje të vjetra që i kujtoj me nostalgji dhe përpiqem edhe sot e kësaj ditë të mos i harroj.”
Biseda jonë u ndërpre pasi erdhën njerëz të tjerë dhe kështu u ndamë përzemërsisht me premtimin se për botimin e tregimit do të kujdesesha personalisht.
Tregimi u lexua nga redaksia dhe u pëlqye aq shumë, sa askush nuk pyeti, siç ndodhte atëherë, për biografinë e bashkëpunëtorëve të panjohur.
Pas ndonjë muaji përkthyesi aq i mirësjellshëm erdhi e më takoi përsëri në redaksi. Po me që isha me të tjerë në zyrë, dolëm në korridor dhe aty ulur te kolltukët biseduam. Kësaj here xha Myqeremi ishte më i çlirët dhe i gëzuar. “Ju faleminderit që e botuat aq shpejt e aq bukur, – tha. – Ia dërgova menjëherë Azis Efendiut dhe sot kam marrë një letër falënderimi dhe përgëzimi prej tij.” Dhe ma zgjati për ta parë e pastaj ma përktheu nga turqishtja. Nga ajo letër aq e ngrohtë mbaj mend vetëm tonin e notat humoristike me të cilin e kish shkruar dhe mirënjohjen ndaj gazetës dhe përkthyesit. E mbyllte me fjalët: “Vëllai juaj që di vetëm të qeshë”.
Pas leximit të letrës Myqeremi më dorëzoi dhe dy tregime të tjera të përkthyera për t’i botuar. Por nuk ishte kjo tema kryesore e këtij takimi. Ai njeri më kish ngjallur respekt e më kish bërë kureshtar. Doja të dija më shumë për jetën e tij, ndaj dhe biseda u vërtit rreth kësaj teme. Ai, siç do të kuptoja pastaj, ishte një natyrë e butë dhe e sinqertë, kish një mënyrë të rrëfyeri të shtruar, përmes së cilës ndjehej kultura e gjerë, formimi intelektual i dy hemisferave.
Me kohë do të vëreja botën e tij të pasur shpirtërore, ndjeshmërinë që s’njihte moshë, dashurinë pas bukurisë, sidomos asaj femërore, kulturën që gërshetohej natyrshëm me përvojën e gjithanshme të jetës. Nga rrëfimi i tij mora vesh se ai kish bredhur botën, kish jetuar në Turqi e në Francë, në Itali e në Greqi, duke përjetuar aventura nga më të çuditshmet. Studimet dhe shkolla e jetës i kishin dhënë staturën e një intelektuali të vërtetë, që kish mendimet dhe qëndrimet e tij vetjake, kulturë enciklopedike dhe njohje të letërsisë e të arteve, shije të hollë, madje nazike e mbi të gjitha një shpirt human. Nga ana tjetër, ishte inteligjent, rrëfente e arsyetonte me një zgjuarsi pa bujë, me një etikë të trashëguar dhe humor të këndshëm.
Të gjitha këto e të qenit poliglot të bënin për vete, siç më bënë mua që në bisedat e para.
Sepse bisedat me të në vitet që erdhën do të vijonin e do të më zbulonin më tej jetën dhe botën e tij. Kështu nga këto biseda herë në Klubin e shkrimtarëve e herë tek darkonim ndonjëherë në Restorant Vollga do të shfaqej para meje personaliteti i tij thuajse i plotë përmes rrëfimeve aq miqësore e aq njerëzore.
Ndërkaq do të merrja vesh nga miku im, historiani Selami Pulaha, se Myqeremi nuk ishte thjesht përkthyes i dokumenteve osmane, por orientalist dhe turkolog nga më të përgatiturit në mes grupit të vogël të studiuesve në këtë fushë, siç qenë Vexhi Buharaja, Haki Sharofi, Jonuz Tafilaj, Andrea Sahatçi etj. Në mënyrë të veçantë ai u dallua në studimet e paleografisë dhe diplomatikes osmane. Madje para çlirimit kish bashkëpunuar me shtypin e kohës, duke botuar artikuj publicistikë dhe historikë.
Në biseda e sipër do të merrja vesh se ai vinte nga një familje tipike aristokrate shqiptare. Vetë i jati, Azmiu, siç tregonte dhe mbiemri, ishte nga Janina, lindur prej dyer pashallarësh me emër. Kish bërë karrierë shtetërore në Turqi duke arritur deri në pozitën e vezirit.
Ai u martua me Labinurin, një nga vajzat prej derës së Vrionasve të Beratit. Vetë ai do të jetonte e punonte kryesisht në Turqi dhe me raste do të vinte në Shqipëri për të parë familjen në Berat dhe çifliqet e pasurinë e fituar nga krushqia me Vrionasit, të cilët do t’i administronte Myqeremi kur u rrit.
Në fakt dhe i biri do të vinte për herë të parë në Shqipëri në vitin 1922, për t’u shkëputur herë pas here me angazhime të tjera jashtë vendit. Në vitin 1924 ai u gjend këtu dhe, siç më thoshte, kish marrë anën e Fan Nolit, i cili, nuk di se në ç’rrethanë, e kish mik të babait, aq sa kryeministri e kish ftuar të jatin në Shqipëri dhe ai kish ardhur për të ngritur një akademi ushtarake në vend. Por ngjarjet që pasuan e bënë të parealizueshëm këtë projekt dhe i jati u kthye nga kish ardhur. Në Shqipëri mbetën e ëma dhe i vëllai më i vogël Muameri.
Një herë xha Myqeremi, tek më fliste për të kaluarën e tij, më zbuloi një sekret. Shkak për këtë u bënë disa blana që kish në kurrizin e duarve. Kur unë e pyeta, ai më tregoi një histori të çuditshme. Më tha se qe martuar me një nga vajzat e Sulltan Hamitit, e cila ishte e bukur peri nga mezi e lartë, por e pazhvilluar nga gjymtyrët poshtë. Sipas tij ishte shumë e zgjuar, por dhe e kulturuar.
Ndaj dhe kish rënë në dashuri në vitet 20, në kohën kur kish ardhur në fuqi Mustafa Qemali, mik i të jatit, i cili nuk e aprovoi këtë lidhje, kur ai kish rrëzuar nga pushteti të jatin e saj. Por Myqeremi i dashuruar s’kish dashur t’ja dinte dhe kish ardhur në Shqipëri me të.
Fillimisht çdo gjë kish shkuar mirë, por ajo bënte një jetë të mbyllur, ndërsa Myqeremi e kalonte kohën me shoqërinë e tij. Nusja e re xheloze erdhi një ditë, kur i shoqi kthehej vonë në shtëpi, për ta provuar besnikërinë dhe sinqeritetin e tij, merrte thëngjij nga mangalli dhe ia vinte në kurrizin e duarve. Sa më shumë ai të duronte, aq më shumë tregonte se e donte. Por kjo histori atëherë nuk zgjati shumë dhe erdhi një ditë, i shoqi gjeti mënyrën për ta kthyer në Turqi dhe u nda përfundimisht prej saj. Ç’është e vërteta, nga biseda e tij ndjehej një peng brengosës për sa i kish ngjarë dhe ishte mallkimi i saj që ai kish mbetur deri në pleqëri pa martuar.
Ishte e vërtetë që xha Myqeremi nuk ishte martuar, por kjo s’do të thoshte se nëpër vite i kishin munguar marrëdhëniet me gratë. Ai ishte një burrë shumë tërheqës jo vetëm nga pamja, por magjepsës nga fjalët, zemër mirë, i gjendshim, lozonjar dhe i kamur. Megjithatë, rrethana të jetës që nuk i kishin shkuar ndërmend ndonjëherë e kishin penguar të krijonte familje. Në një nga bisedat e tij, ai do të më tregonte, gati si nën zë, se ç’i kish ndodhur kur vendosi të kthehej në Shqipëri nga Italia në 1943.
Miqtë e kishin këshilluar të mos shkonte. Në vitin 1946, Myqerem beu ishte arrestuar me akuza që ai s’i pranoi asnjëherë për lidhje me elementë të reaksionit ndërkombëtar e të brendshëm dhe u dënua me 5 vjet burg dhe internim. Nga ana tjetër, xha Myqeremi më tregonte me dhimbje se vëllai i vogël, Muameri, gjatë luftës kish dalë partizan me Brigadën e shtatë dhe në rrethana enigmatike ishte pushkatuar nga forcat partizane.
Si kreu vitet e burgimit dhe të internimit, gjithnjë i sjellshëm dhe korekt, në 1952 u kthye në Berat, i privuar nga të gjitha pronat dhe pasuria familjare. Kish mbetur krejt vetëm, si njeri pa njeri, duke u marrë kryesisht me lexim dhe përkthime.
Ishte një gjë krejt e papritur dhe fatlume për të kur në vitin 1960 e thërrasin në Tiranë dhe e emërojnë si përkthyes i osmanishtes në Institutin e Historisë. Megjithëse në moshën 70 vjeçare, ai iu vu punës me përkushtim dhe kompetencë të lartë profesionale, duke kontribute me vlerë për 18 vjet me radhë në fushën e shqipërimit të dokumenteve osmane.
Sipas prof. Kristaq Priftit, Myqerem Janina përktheu një korpus të tërë prej mijëra faqesh me materiale shumë të rëndësishme të dokumentacionit osman në ndihmë të hartimit të historisë së Shqipërisë të periudhës së Mesjetës të shekujve XV-XVII. Pjesë e këtij korpus që përktheu është dhe “Defteri ose Regjistri i Sanxhakut të Shqipërisë së viteve 1431-1432”, i përgatitur dhe i botuar nga historiani i madh turk H. Inalçik.
Xha Myqeremi më fliste me krenari dhe emocion që gjatë viteve të Institutit ai krijoi një shkollë të vetën të turkologjisë me të cilën përgatiti brezin e ri të turkologëve shqiptarë të pas çlirimit. Ky brez i përbërë prej Selami Pulahës, Kristaq Priftit, Gazmend Shpuzës, Petrika Thëngjillit dhe Ferid Dukës, me punën që kreu, e çoi më tej turkologjinë shqiptare falë meritave të mësuesit të tyre aq të aftë dhe të përkushtuar, profesorit të paligjëruar Myqerem Janina.
Xha Myqeremi, megjithëse e kish kaluar me kohë moshën e pensionit dhe shkelte mbi të tetëdhjetat, vijonte punën rregullisht. Zakonisht punonte në sallën e madhe të Bibliotekës Kombëtare dhe atje kishim rast të takoheshim. Ai ishte kurdoherë i gatshëm për të pirë kafe e për të biseduar në lokalin e Pallatit të Kulturës.
Më fliste për përkthimet që bënte, sidomos për dokumente të kohës së Rilindjes, që kishin të dhëna dhe fakte me shumë interes. Mbaj mend që njëherë më tregoi për korrespondencën turqisht të Qazimit, djalit të madh të I. Qemalit që ankohej dhe i kërkonte ndihmë një mikut të afërt të të jatit. Ishte koha kur Ismail Qemali qe arratisur nga Turqia dhe kish ardhur në Paris bashkë me familjen.
Por sipas letrës të të birit, ai kish marrë me vete dhe të dashurën, duke e vendosur në të njëjtin hotel e në të njëjtin kat ku banonte familja. Kjo kish sjellë telashe, sidomos kish tronditur gruan e Ismail Beut, ndaj i biri i lutej të ndërhynte me miqësinë e tij tek babai. Xha Myqeremi e njihte nga afër zonjën Kleoniqi dhe fliste me respekt dhe admirim të veçantë, sidomos për karakterin e saj të lartë, siç thoshte ai, por dhe për faktin që megjithëse ishte greke, nuk do ta pengonte asnjëherë, po përkundrazi, të shoqin në punët e mëdha që ai kish marrë përsipër për pavarësinë e Shqipërisë.
Për një kohë, unë do të kisha fatin që nëpërmjet bisedave të xha Myqeremit të informohesha për shumë dokumente politike të Rilindjes, por dhe me ato private, madje intime, të disa personaliteteve të Rilindjes, për të cilat i jam mirënjohës mikut tim. Por nuk është rasti të merrem me to, kur kam ç’të rrëfej diçka nga intimitetet e jetës së xha Myqeremit, madje atë më kryesoren. Para se të më fliste për këtë, mbaj mend që ai përsëriste herë pas here, me rast e pa rast, fjalën e urtë se “dashuria në të gjitha kohrat nuk njeh moshë”.
Dhe pastaj erdhi një çast që ai të më hapej për veten e tij. Më tha se “pavarësisht nga vërsa tepër e kaluar Myqeremi ka rënë keq në dashuri”. “Dua të besoj se zoti do të më falë, kur të gjithë fetë kanë në themel të tyre dashurinë. Nuk sajoj asgjë, po të të them se dashuria goditi nga të dyja palët. Është një vajzë që kemi shumë diferencë në moshë, një ish studente e jote e letërsisë, që ka emrin e dashurisë mistike të Dantes, Beatriçe e quajnë. Një dashuri që nuk e gjeta, megjithëse e kisha kërkuar tërë jetën, po ma dërgoi perëndia si dhuratë të shenjtë.
S’e kisha veten ne dorë dhe u nënshtrova ndjenjave të mia më fisnike. Po kështu dhe ajo, sado që unë u përpoqa t’ia ktheja mendjen, por ajo kish një karakter që s’njoh një të dytë në këtë botë. Erdhi dita që u bindëm se lidhja jonë nuk ishte punë fjalësh, po fliste zemra dhe një mendje që e kish përbashkuar fuqia e të madhit Zot. Kështu me këtë mendje, të vendosur shkuam në gjendjen civile dhe kërkuam ta legalizonim lidhjen tonë. Kur vajtëm para ofiqares së gjendjes civile dhe i parashtruam kërkesën tonë, ajo sikur u çorodit dhe pyeti: “Po dhëndri ku është?” Unë jam dhëndri, – ia ktheva serioz. Ajo shqeu sytë dhe më tha: “Ik, o xhaxho, se s’bëjmë martesa të tilla. Nuk e shikon, ajo është mbesa jote!”
Ne nuk e zgjatëm dhe u kthyem andej nga kishim ardhur. Ç’do të bënim? Nuk mund të bashkëjetonim ilegalisht. Ishim kundër ligjit të shtetit, por ne i bindeshim ligjeve të zemrës. Por sikur të mos mjaftonte kjo, nuk vonoi më thërrasin në Drejtorinë e Institutit të Historisë. Më priti drejtori dhe Sekretari i Partisë. “Urdhëroni, – u thashë, – përse më keni thirrur?” Drejtori zgjati një copë shkresë.
E kish dërguar Gjendja civile që refuzonte kërkesën time dhe kërkonte të merrej masë ndaj meje. Unë heshta, kurse Sekretari i partisë më pyeti: “Ç’do të bëjmë tani me ty?” Unë u mendova një hop dhe iu përgjigja: “Kjo është njësoj sikur unë t’u pyes se ç’do të bëni ju me gratë tuaja.” Ata buzëqeshën, ndërsa njëri prej tyre tha: “S’është punë për t’u tallur”. Kurse unë ia prita: “Vetëm me dashurinë s’të lë Perëndia të tallesh.” Nuk folëm për një copë herë, derisa drejtori tha: “Xha Myqerem, kemi të bëjmë me shtetin dhe jo me Perëndinë”.
Me këto fjalë mori fund takimi zyrtar. U dhashë dorën dhe u ktheva në shtëpi ku më priste Beatriçja. Ia tregova të gjitha dhe pastaj i bëra thirrje me gjithë shpirt të vendoste për fatin e saj. “Unë tani s’e kam të gjatë, – i thashë. – Ti ke jetën tënde përpara dhe më shumë ka vlerë jeta jote se e imja. Për aq sa më ka mbetur, do të lutem vetëm për ty!”
Karakteri i fortë i saj e kish përmbajtur veten deri në atë çast. Pastaj ajo shpërtheu në lot, ndërsa unë i puthja duart. Ajo tha: “Tani e tutje shtëpia jote është dhe shtëpia ime. Sa të jemi gjallë, do të jetojmë nën këtë çati!”
Dhe kështu vendosëm sipas fjalëve të saj. Edhe tani që flasim, ajo është në shtëpinë time në kundërshtim me familjen, opinionin dhe shtetin, por ne mbahemi fort pas dashurisë sonë.”
Me kaq u mbyll kjo bisedë e xha Myqeremit me mua dhe u ndamë. Unë u ktheva në shtëpi dhe hodha në letër gjithë ç’më kish thënë ai. Ndërkaq, në ditët që pasuan, historinë e tyre e dëgjova nga miqtë e mi të Institutit dhe nga rrethe të tjera.
Tani xha Myqeremi vinte shumë rrallë në Bibliotekën Kombëtare. U interesova dhe mora vesh se nuk ishte mirë me shëndet. Por s’kaloi shumë kohë, kur një mbrëmje rastësisht takova një shok dhe më jep lajmin se xha Myqeremin e kishin arrestuar. Nuk e besova. Ishte shtatori i vitit 1978. Si qe e mundur që një plak në moshën 88 vjeçare të burgosej, aq më tepër një intelektual specialist, që merrej kryesisht me dorëshkrime mesjetare të ishte burgosur. Unë që e njihja nga afër, që kisha biseduar aq herë me të, nuk kisha dëgjuar qoftë dhe njëherë të vetme të më fliste për politikë apo të shprehte ndonjë pakënaqësi.
E vetmja gjë që më tërhiqte vëmendjen ishte korrespondenca që mbante me kushërinjtë e me ndonjë mik të rinisë në Turqi e Francë dhe dhuratat që ata i dërgonin, të cilat ai një pjesë ua dhuronte njerëzve.
Pas disa kohësh disa hollësi të burgimit të tij i mora vesh drejt nga Beatriçja që erdhi në fakultet për të dhënë një provim si mësuese e letërsisë në lëndën time. Më shumë se për përgjigjet e tezës, unë pyeta për xha Myqeremin dhe ajo do të më tregonte me lot në sy për kalvarin që ai kish hequr në hetuesi dhe në burg, ku torturohej dhe mbahej nën tension të rëndë psikologjik. Nuk do të më hiqej nga mendja rrëfimi i saj shumë i dhimbshëm, por dhe qëndrimi i palëkundur i kësaj vajze aq besnike.
Për afro një vit hetimi, duke përdorur dëshmitarë të rremë, nën grushtet e hetuesve dhe fyerjet e tyre, i pandehuri 89 vjeçar dënohet nga gjykata e rrethit të Tiranës me 8 vjet burg me akuzën për agjitacion e propagandë. Një vendim sa absurd dhe cinik për një plak që i kish ditët e numëruara, që mezi mbahej në këmbë e mezi merrte frymë, duke shpërfillur emrin e nderuar të një intelektuali të çmuar në fushën e kërkimeve e zbulimeve historike. Plaku i gjorë në letrën ankimuese që do t’i drejtonte Gjykatës së lartë, nuk do ta pranonte akuzën kur shkruante se “unë nuk jam fajtor. Nuk kam thënë kurrën e kurrës fjalë fyese kundër pushtetit dhe kërkoj një hetuesi speciale revolucionare(!)” Një përpjekje e kotë si një zë në shkretëtirë që s’e ndali dënimin e dhunshëm. Orientalisti i shquar do t’i nënshtrohej deri në fund viteve të burgimit.
Ndërkaq, për ironi të fatit, ndodhi të vinte për vizitë zyrtare në Shqipëri shkrimtari i madh turk Azis Nesimi, të cilin pata nderin ta takoj e ta shoqëroj edhe unë. Në mes kërkesave që do të bënte miku i shquar ishte edhe takimi me Myqerem Janinën, përkthyesin e talentuar të veprave të tij.
Organet përkatëse u gjendën shumë ngushtë për t’ia plotësuar dëshirën. Nuk mund t’i thoshin se gjendej në burg. Por as mund t’i thoshin se kish vdekur, se ai do të kërkonte t’i vizitonte varrin e t’i vinte një tufë lule. Atëherë u shpik gënjeshtra se është i sëmurë rëndë në spitalin infektiv ku ndalohet rreptësisht hyrja. E kam parasysh si tani fytyrën e vrenjtur dhe vështrimin dyshues të Nesimit, që e bllokoi bisedën me një heshtje të gjatë.
Kaluan kohë dhe një mbrëmje, duke shëtitur nëpër bulevard me biçikletë, dëgjoj nga prapa krahëve një zë që thërriste emrin tim. Ndalem dhe kthej kokën. Një njeri i panjohur përtej nga trotuari ma bënte me dorë. Nuk po e njihja. Një plak i kërrusur, mbështetur mbi bastun, me kokë të rruar, më buzëqeshte.
Nuk i besova syve. Ishte xha Myqeremi. U afrova dhe iu hodha në qafë. “E shikon se jam gjallë edhe pse jam kthyer nga xhehenemi.” Unë isha aq i emocionuar, sa gati s’më vinin fjalët. Kurse miku im fisnik, fjalët e para që më tha qenë: “Të kam kujtuar sa herë në kamp kur nga qendra e zërit na lexonin vepra letrare e mes tyre dhe “Dashurinë e Mimozës” dhe mallëngjehesha nga fati i asaj vajze të gjorë dhe nga gjuha jote e bukur”.
Biseduam një copë herë ulur te bordurat karshi Hotel Dajtit dhe pastaj e përcolla deri afër shtëpisë dhe nuk e takova më. Pas disa muajsh ai vdiq në moshën 99 vjeç. Ishte viti 1989! /Shqiptarja/