Site icon Telegrafi

Historia e rrallë e një ushtari të Luftës së Parë Botërore, 6 monedhat në xhep që u bënë rreziku dhe shpëtimi i tij (Foto)

Optatius Buyssens ishte një ushtar belg që luftoi kundër Gjermanisë në Luftën e Parë Botërore. Stërnipi i tij, Vincent Buyssens, tregon historinë ironike të disa monedhave që i rrezikuan dhe i shpëtuan jetën stërgjyshit të tij.

Tri franga belge dhe tri të tjera franceze u bënë arsyeja që ai u qëllua për t’u vrarë.

“Ironikisht, këto monedha ishin arsyeja pse qëlluan në drejtim të tij. Tringëllima e tyre në xhepin e tij tërhoqi vëmendjen e armiqve”, tregon ai. Por ato gjashtë monedha do të pengonin plumbin për të cilin u bënë shkak.

Optatius Buyssens  nuk ishte pranuar në ushtri për shkak të një dëmtimi të legenit, por gjithsesi ai iu bashkua ushtarëve të tjerë vullnetarisht. Ai u qëllua gjatë një misioni në shtator 1914 në afërsi të Lebbeke-s, në Belgjikë.

Ushtari gjerman, pasi e qëlloi me armë, e gjuajti me shkelm duke menduar se e kishte vrarë.

“Ai ishte shumë me fat sepse plumbi që mund ta kishte vrarë bëri rikoshetë te monedhat, duke i kursyer jetën”, thotë stërnipi i ushtarit belg për CNN.

Ai rrëfen se e mësoi kohët e fundit këtë histori falë një gazete të vjetër që kishte ruajtur vëllai i stërgjyshit, i cili kishte një arkiv të madh me objekte të luftës.

Optatius Buyssens, ushtari që shpëtoi mrekullisht në vitin 1914, do të vdiste nga një sëmundje zemre në vitin 1950. /tema/

Exit mobile version