Site icon Telegrafi

Hidhet koktej molotovi në oborrin e një shtëpie në veri të Mitrovicës, rasti po hetohet

Një koktej molotovi dyshohet se është hedhur rreth mesnatës në oborrin e një shtëpie te lagja “Kroi Vitakut”, në veri të Mitrovicës.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani.

Sipas tij, patrulla policore ka vërejtur një tym tek një shtëpi dhe siç tha Elshani kur janë afruar kanë vërejtur derën e hyrjes e cila ishte duke djegur.

“Rreth orës 00:30 Patrolla Policore e cila ka qenë në patrullim ka vërejt Tym tek një shtëpi te ‘Kroi i Vitakut’. Kur është afruar afër Policia ka vërejt derën e hyrjes e cila ishte duke u djegur. Zjarri është fikur nga patrulla, ndërsa dëme ka pësua dera e hyrjes së kësaj shtëpie.

Dyshojmë se kemi të bëjmë me zjarr-vënie dhe që ky zjarr është shkaktuar nga koktej i molotovit”, ka thënë Elshani.

Sipas tij, për momentin nuk ka të dyshuar apo të arrestuar, ndërsa policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version