Abdullah Abedini, prokuror i shtetit është vënë në krye të ekipit që po synon ta zbardhë vjedhjen e tatimeve të shtetit. Siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë”, ai pas takimit me hetuesit e ATK-së, në detaje harton planin e veprimit në terren për të mbledhur sa më shumë prova të cilat zbardhin dyshimet se biznese të dyshimta po vjedhin shtetin me faktura fiktive.
Siç transmetoi emisioni, informacionet e hetuesve të ATK-së të prezantuara para prokurorit tregojnë për dyshimet se miliona euro vjedhje të taksave janë duke ndodhur nga bizneset të cilat planifikojnë t`i bastisin.
“Ne e kemi marrë autorizimin më herët prej jush se si t`i zhvillojmë hetimet në dosjen e caktuar dhe ne i kemi zgjeruar hetimet. Sot kemi ardhur që t`u sjellim fakte shtesë dhe njëkohësisht kemi edhe një kërkesë për kontrollë të disa lokacioneve të bizneseve të dyshuara të cilat janë të lidhura me transaksionet nga operacioni paraprak që i kemi kryer bastisjet”, tregon drejtuesi i ekipit të hetuesve të ATK-së Murat Mehmeti në takimin me prokurorin e rastit Abdullah Abedini.
“Shmangia tatimore është relativisht e madhe, pastaj kemi edhe zgjerim të personave të dyshuar në këtë dosje të skemës së mashtrimit total. Kësaj radhe kemi edhe katër të dyshuar, biznese të cilat janë, tri janë reale, ndërsa dy jo. Njëkohësisht ju njoftojmë se dy biznese janë fiktive”, deklaron Mehmeti.
Prokurori i shtetit është bindur që provat paraqesin dyshim se një vepër penale ka ndodhur dhe tash e tutje duhet që të kërkohet një leje nga gjykata e Ferizajt për inicimin e bastisjeve dhe kontrolleve në biznese.
Prokurori nisë përpilimin e një kërkese të gjatë me të cilën synon ta bindë gjykatësin paraprak për të autorizuar bastisjet dhe intervistuar pronarët e bizneseve.
Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, për disa orë hetuesit e prokurori presin hapat ligjorë të gjykatës. Mëngjesi zbardhë me detyra konkrete gjykata ka urdhëruar kryerjen e bastisjeve gjashtë lokacione përfshirë pronarët e bizneseve dhe zyrat e kontabilitetit janë cak i bastisjeve.
Siç tregoi hulumtimi, forca të shtuara të policisë janë ftuar të asistojnë hetuesit tatimorë në bastisje.