Site icon Telegrafi

Hetimet për 21 janarin, thirret në SPAK vëllai i Hekuran Dedës

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po vijon hetimet mbi ngjarjet e 21 Janarit, duke thirrur për të dhënë dëshminë Zabit Dedën, vëllain e Hekuran Dedës, një prej viktimave të mbetur në protestë.

Zabit Deda është paraqitur në ambientet e SPAK që në orën 10:00 të mëngjesit, ku po merret në pyetje nga prokurori Alfred Shehu.

Ndërkohë vëllai tjetër, Agim Deda, pritet të japë dëshminë e tij ditën e mërkurë.

Sipas vendimit të kohës së Gjykatës së Apelit edhe vrasja e Hekuran Dedës ka mbetur pa autor.

SPAK ka intensifikuar hetimet në muajt e fundit, duke marrë në pyetje dëshmitarë dhe të afërm të viktimave, me synimin për të përfunduar hetimet në lidhje çështjen. Dëshmia e Zabit Dedës pritet të ndihmojë në hedhjen dritë mbi rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë institucionale të asaj dite.

SPAK po eksperton audio-regjistrimin e komunikimeve të Gardës së Republikës gjatë protestës së 21 janarit, ku u vranë katër persona. Përmes laboratorit dixhital, SPAK po verifikon vërtetësinë e këtij regjistrimi, të depozituar nga gazetari Artan Hoxha.

Gjithashtu, hetuesit kërkojnë të identifikojnë zërat e personave që komunikojnë në radio, në audio-regjistrimin prej 36 minutash. Sipas përmbajtjes së bisedave, komunikimet kanë lidhje me kohën kur efektivët e Gardës kanë qëlluar mbi turmën e protestuesve dhe në audio dëgjohet komandanti i Gardës së asaj kohe, Ndrea Prendi.

SPAK ka kërkuar gjithashtu marrjen e të gjitha provave dhe fashikujve hetimorë të krijuar gjatë viteve për këtë çështje.

Krahas familjarëve të të ndjerit Aleks Nika, mbi kallëzimin e të cilëve SPAK u vu në lëvizje, janë marrë edhe deklarime të personave që dyshohet se kanë dijeni për atë që ndodhi në protestën e 21 janarit. Mes tyre janë ish-drejtori i përgjithshëm i policisë, Hysni Burgaj, si dhe ish-zv.drejtori Agron Kulicaj, ndërsa të kallëzuar janë zyrtarët më të lartë të kohës, si ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.

Exit mobile version