Agjentët sekret i hetojnë të tjerët, por ekziston edhe një mekanizëm që mund t’i kontrollojë ata.
Janë anëtarët e Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, që mund të kryejnë hetime brenda këtij institucioni.
Mundësia për t’u shfrytëzuar kjo e drejtë ligjore është lënë e hapur së paku nga njëri prej anëtarëve të këtij komisioni, Rafet Rama.
Duke marrë parasysh rrethanat që janë krijuar në AKI në vitet e fundit, ku dy drejtorët e saj kanë dhënë dorëheqje, sipas këtij deputeti të PDK-së, komisioni do t’i shfrytëzoj kompetencat e tij për ta mësuar të vërtetën se çka po ndodhë në këtë institucion.
“Ne si komision do t’i ndërmarrim hapat që na takojnë dhe besoj se ata janë të ditur”, ka thënë Rama për AktivPress, duke mos pranuar të jep sqarime shtesë.
Në nenin 36, pika 6 të Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë përcaktohet qartë se Komisioni mbikëqyrës parlamentar ka kompetencë që të kryejë hetime në lidhje me punën e AKI-së.
Ndryshe prej tij, anëtarja tjetër e këtij komisioni nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Melihate Tërmkolli ka paralajmëruar se së shpejti do të mblidhet Komisioni për të diskutuar për gjendjen në AKI.
“Komisioni do të mblidhet dhe aty do të shohim se çka po ndodhë”, ka deklaruar Tërmkolli përmes telefonit për AktivPress.
I pakoment për zhvillimet brenda në AKI është treguar kryetari i Komisionit për mbikëqyrje të AKI-së, Haxhi Shala.
Ai ka thënë se aktualisht gjendet jashtë vendit dhe nuk mund të përgjigjet.
Aktualisht, AKI është duke u drejtuar nga zëvendësdrejtori, Latif Merovci, pasi Agron Selimaj ka dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit, më 27 janar.
Edhe Merovci kishte dhënë dorëheqje në kohën kur Bashkim Smakaj ishte në krye të AKI-s.
Ai ishte rikthyer në AKI, tek pasi Smakaj ka dhënë dorëheqje nga shërbimi sekret.
Gjithë këto lëvizje kanë ndodhur brenda në AKI, dhe asnjëherë nuk janë mësuar arsyet e vërteta të tri dorëheqjeve.
Presidenti e kryeministri i kanë afat edhe 15 ditë pune për ta gjetur njeriun që do ta udhëheq tash e tutje shërbimin sekret të shtetit /AktivPress/