Telegrafi

Eric Liddell – heroi i Lojërave Olimpike dhe historia e vërtetë prapa “Karrocave të zjarrta”

Eric Liddell duke fituar në garën e 400 metrave në Olimpiadën e Parisit më 1924 (foto: George Rinhart/Corbis/Getty Images)

Nga: Greg McKevitt / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Djali i misionarëve të krishterë, Eric Liddell, lindi në Kinë më 1902 dhe 43 vjet më vonë vdiq atje në një kamp japonez internimi. Mes këtyre viteve luajti për Skocinë në ragbi, e fitoi medaljen e artë olimpike për Britaninë dhe shumë vite më vonë e frymëzoi një film fitues të Oskarit dedikuar të bëmave të tij atletike. Pas suksesit të tij të hershëm spektakolar, pjesën tjetër të jetës e kaloi duke punuar si misionar – edhe kur kjo nënkuptonte të vinte veten në rrezik. Vdiq pa e takuar kurrë vajzën e tij më të vogël. Ishte një jetë e jashtëzakonshme, e karakterizuar nga besimi, tragjedia dhe guximi.

Në moshën pesëvjeçare, Liddell u kthye me prindërit nga Kina për në Skoci dhe u dërgua në Shkollën e Londrës për Bijtë e Misionarëve – e njohur më vonë si Kolegji Eltëm. Në vitin 1920 u kthye në Skoci për të studiuar në Universitetin e Edinburgut. Potenciali i tij i jashtëzakonshëm si atlet, menjëherë u vërejt, ndërsa Glasgow Herald e cilësoi si kampion të ardhshëm britanik.

Atleti skocez Eric Liddell fitoi medaljen e artë në 400 metra në Lojërat Olimpike të Parisit, më 11 korrik 1924, por është po aq i famshëm për garën në të cilën nuk vrapoi (Getty Images).

Sipas mikut universitar të Liddellit, profesorit Neil Campbell, stili i tij i vrapimit ishte i pazakontë, por jo i ngathët. Duke folur për BBC në vitin 1984, ai tha: “Sigurisht që shumë shpesh vraponte me kokën prapa. Tani njerëzit thonë: ‘Epo, si shihte ku po shkon? Por, e ktheni kokën prapa dhe ende mund të shihni shumë mirë se çfarë është përpara. I përdori krahët e tij në mënyrë goxha agresive dhe tundej pak – të paktën kështu dukej nga pas, si një tren ekspres”.

Si sportist jashtëzakonisht i talentuar, Liddell luajti shtatë herë për ekipin ndërkombëtar të ragbit të Skocisë – mes viteve 1921 dhe 1923. Megjithatë, stërvitja dhe konkurrimi në nivelin elitar në dy sporte ishte i tepërt, kështu që zgjodhi të fokusohej në atletikë ku e përcaktoi veten si një nga vrapuesit më të mirë të vendit. U përzgjodh për skuadrën britanike për Lojërat Olimpike të Parisit të vitit 1924, ku ishte favorit për të fituar në garën e tij më të fortë – vrapimin në 100 metra.

Por, kur u publikua orari i lojërave, ndeshjet e 100 metrave ishin të dielën dhe Eric Liddell bëri një zbulesë mahnitëse: Shabati i krishterë ishte dita e Zotit dhe nuk kishte asgjë në këtë botë që mund ta bindte për të vrapuar.

Në filmin e vitit 1981, Karrocat e zjarrta [Chariots of Fire], kur hipën në anijen për në Francë, Liddell mëson se garat në 100 metra mbahen të dielën. Realisht, orari dihej disa muaj më parë. Megjithatë, filmi pasqyron dramën e jetës reale të shkaktuar nga qëndrimi i tij parimor.

Gjashtëdhjetë vjet më vonë, miku dhe shoku i tij atlet, Greville Young, tha se ata që e njihnin Liddellin ishin të vetëdijshëm për ndjenjat e tij të forta fetare, gjë që “shkaktoi zemërim të jashtëzakonshëm mes shumë njerëzve, veçanërisht te gazetat dhe gazetarët”.

Gazetarët trokitën në derën e akomodimit të tyre studentor në Edinburg, duke kërkuar që të flisnin me Liddellin. Sipas Youngut, “ishin pothuajse kërcënues, ndërsa u dëgjuan thirrjet se ‘është tradhtar i vendit të vet’”.

Sipas mikut të tij, kjo nuk e shqetësoi Liddellin. “Ai thjesht i pranoi këto gjëra dhe nuk e mbaj mend kurrë të jetë mërzitur. Ka thënë: ‘Thjesht është bindja ime. Nuk i kritikoj të tjerët për këtë, por të dielën nuk do të garoj’”.

Vendimi i Liddellit nënkuptonte se duhej të hiqte dorë nga gara e tij më e fortë dhe të fokusohej në 400 metra. Në vend të vrapimit të shpejtë drejt finishit në pistën e shkurtë, kjo ngjarje kërkonte qëndrueshmëri për të ruajtur ritmin rreth xhiros së plotë të pistës, e përshkruar në atë kohë si gara çerek-miljeshe [400 metra].

Atleti tjetër skocez, Tom Riddell, tha se kjo distancë më e gjatë i ekspozoi veçoritë e Liddellit, por ai ende mund të mbështetej në ritmin elektrizues. Duke folur në dokumentarin e vitit 1984, Erik Lidëll: Skocezi fluturues [Eric Liddell: The Flying Scotsman], ai tha: “Vrapimi i tij ishte i shkëlqyeshëm ndoshta derisa arriti në 200 jardët [18.3 metra] e fundit ku i duhej vërtet të mundohej. Koka u kthye prapa dhe bërrylat u ngritën lart, por kur kjo ndodhi, pjesa tjetër e garës mund të nënkuptonte se ‘mund të dorëzohemi’”.

Liddell pati disa suksese të hershme në Lojërat Olimpike të Parisit, duke fituar medaljen e bronztë në 200 metra. Pak veta besonin se ai mund ta përmirësonte këtë në finalen e distancave më të gjata – të premten e 11 korrikut 1924.

Kur krisi arma për start, u nis me shpejtësi të madhe, duke kaluar pikën e gjysmës së pistës për 22.2 sekonda. Duke e hedhur kokën mbrapa në stilin e tij të veçantë, e zgjati avantazhin e vet dhe përfundoi duke kaluar pesë metra përpara grupit që e ndiqte. Koha e përfundimit ishte 47.6 sekonda. Një raport entuziast në London Times-in e ditës tjetër, e përshkroi atë si ‘ndoshta garën më dramatike të parë ndonjëherë në një pistë vrapimi’”.

Tom Riddell i tha BBC-së se e kishte pyetur Liddellin për qasjen e tij taktike: “Me fjalët e tij ai tha: ‘Epo, kur shkrepet arma, shkoj sa më shpejt që të mundem dhe i besoj Zotit se do ta kem forcën për ta kryer pjesën e dytë’. Dhe, mendoj se ai me të vërtetë këtë e ka bërë”.

Liddell u kthye në Skoci si hero. Turma të mëdha u shfaqën për ta mirëpritur në shtëpi dhe për nder të tij u krijuan klube të tifozëve adoleshentë. Megjithatë, thirrja e jetës fetare doli më e fortë se karriera e tij sportive si i famshëm, dhe vendosi t’ia kthejë shpinën gjithë këtij adhurimi për t’u bërë misionar në Kinë, sikurse prindërit e vet.

Krahas detyrave fetare, punoi si mësues i shkencës sportive në Kolegjin Anglo-Kinez në Tianxhin. Në vitin 1934 u martua me Florence Mackenzien, të bijën e prindërve misionarë kanadezë, dhe shpejtë u lindën dy vajza. Me kalimin e kohës, jeta bëhej gjithnjë e më sfiduese mes një lufte të vazhdueshme civile në vend. Gjërat u përkeqësuan edhe më shumë në vitin 1937, kur Japonia e pushtoi Kinën. Kushtet për të huajt dalëngadalë u përkeqësuan, por Liddell këmbënguli të vazhdonte punën misionare, duke u zhvendosur në një fshat më të rrezikshëm të shkatërruar nga lufta.

Kur Japonia e pushtoi Kinën, trupat e saj i lanë perëndimorët atje, por në vitin 1941 qeveria e Mbretërisë së Bashkuar këshilloi që të largoheshin që të gjithë shtetasit britanikë nga Kina. Liddell vendosi të qëndronte në vend teksa Florence, tashmë sërish shtatzënë, nisi lundrimin me dy fëmijët për një jetë më të sigurt në Kanada. Ai nuk do t’i shihte më kurrë ato.

Vajza e tij Heather Liddell Ingram ishte tre vjeçe në atë kohë. Në një dokumentar të BBC-së të vitit 2012, pranoi se dikur pyeste veten se pse ai nuk u largua me familjen e vet. “Me siguri do të na e kishte bërë jetën më të mirë dhe nuk e kuptova vërtet derisa fillova të takoj njerëzit që kishin qenë fëmijë në kamp”, tha ajo. “Ishin rreth 500 fëmijë në atë kamp, pa prindër, kështu që mësuesit dhe njerëzit si babai im ishin shumë të rëndësishëm për ta dhe unë mund të shihja tablonë e madhe”.

Në vitin 1943 u internua në Vajzhen, në një kamp japonez internimi për 1 500 të burgosur në provincën Shandong të Kinës. Në kamp, ​​Liddell njihej me përkëdheli si Xha Ericu, për shkak të energjisë që ia kushtoi edukimit të fëmijëve, organizimit të aktiviteteve sportive dhe ndihmës ndaj të tjerëve. Megjithatë, nga fundi i vitit 1944, shokët e tij të internuar vunë re se dukej më i plogësht dhe më i lodhur se zakonisht. Mjekët e diagnostikuan me tumor në tru.

Shoqja dhe misionarja Eni Buchan, ishte me të në fundin e tij. Ajo u tha krijuesve të Erik Lidëllit: Skocezit fluturues: “Papritmas, ai tha: ‘Annie, është dorëzim i plotë’ dhe kjo ishte fryma e tij e fundit. Kaloi në koma dhe nuk u shërua kurrë”. Liddell nuk u lëkund kurrë në besimin e vet të krishterë. “Ishte njeri i cili gjatë gjithë jetës i ishte dorëzuar Zotit dhe nuk besoj se e kishte të vështirë të thoshte ‘dorëzim i plotë’, sepse e dinte se ku po shkon”. Vdiq më 21 shkurt 1945, vetëm disa muaj para se kampi të çlirohej në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Triumfi olimpik i Liddellit në 400 metra në kohë më të lumtura, paraqet kulmin e Karrocave të zjarrta, historinë e ndjeshme të Liddellit dhe rivalitetin e tij të madh me Harold Abrahamsin – një film që fitoi katër Oskarë në ndarjen e Çmimeve të Akademisë amerikane të Filmit më 1982. Përveç çmimit për filmin dhe regjisorin më të mirë, kolona zanore e krijuar nga Vangelisi fitoi çmimin për muzikë origjinale. Më shumë se 40 vjet më vonë, melodia e temës mbetet stenografi e njohur menjëherë për çdo gjë në atletikë.

Ian Charleson, aktori skocez që luajti Liddellit, gjithashtu kishte diplomuar në Universitetin e Edinburgut. Charleson ishte edhe më i ri se Liddell kur vdiq në vitin 1990. Ishte vdekja e parë e shoubizit në Mbretërinë e Bashkuar që i atribuohej haptazi sidës, dhe vendimi i 40-vjeçarit për ta bërë këtë publike mëtohet se ka luajtur rol në promovimin e ndërgjegjësimit për virusin. Aktori tjetër, Ian McKellen, për Daily Mail ka thënë: “Ishte nder për Ianin i cili kërkoi që shkaku i vdekjes së tij të bëhet publik dhe kjo është oferta më e mrekullueshme e mbështetjes që mund t’ua jepte burrave dhe grave në të gjithë botën të cilët vuanin nga virusi AIDS”.

Teksa Liddelli mbetet hero skocez, ka disa që besojnë se ka mundësi për ta quajtur kampionin e parë olimpik të Kinës, sepse lindi në atë vend. Sido që të jetë, arritjet e tij vazhdojnë të frymëzojnë brezat e rinj edhe një shekull më vonë.

Ata që shikuan Karrocat e zjarrta për herë të parë e të cilit nuk e dinin paraprakisht historinë, duhet të jenë ndier të prekur nga teksti që shfaqet në ekran në fund të filmit: “Eric Liddell, misionar. Vdiq në Kinën e pushtuar, në fund të Luftës së Dytë Botërore E gjithë Skocia mbajti zi”. /Telegrafi/