Anglia ka kaluar në finale të Euro 2024, aty ku e pret Spanja, pasi mposhti Holandën me rezultat 2-1 në Signal Iduna Park.
Pjesa e parë ishte fantastike, ku u realizuan dy gola, por kështu nuk mund të thuhet edhe për të dytën, përveç fundit dramatik.
Ollie Watkins realizoi golin e fitores në minutën e 90+1-të, kur u asistua nga Cole Palmer për ta siguruar finalen që luhet më 14 korrik ndaj Furisë së Kuqe ne Berlin.
Pas ndeshjes, heroi i Tre Luanëve zbuloi se ai i kishte thënë yllit të Chelseat se që të dy do të hynin në lojë dhe Palmer do të asistonte, ndërsa ai do të shënonte.
“E pabesueshme – Unë e kam pritur atë moment për javë të tëra. Është dashur shumë punë për të arritur këtu ku jam sot. Mora mundësinë dhe e mora me të dyja duart”, deklaroi fillimisht Watkins.
“I thashë atij (Palmerit): ‘Ne do të hyjmë në lojë dhe ti do të më asistosh mua’. E dija që sapo të merrte topin, ai do të pasonte tek unë. Kur ai shkoi në këndin e poshtëm, ishte ndjenja më e mirë ndonjëherë”.
“Ne kemi atë faktor rikthimi për të shkuar pas një goli. Ne kurrë nuk dorëzohemi. Një lojë më shumë – ne jemi gati për Spanjën”, ka shtuar më tej Watkins. /Telegrafi/