Telegrafi

Heqja e vizave për poseduesit e pasaportave të Serbisë, çfarë deklaruan nga Qeveria dhe Presidenca

Këshilli i Bashkimit Evropian ka vendosur në favor të heqjes së regjimit të vizave për qytetarët të Kosovës, të cilët posedojnë pasaporta të Serbisë.

Ky vendim është marrë në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, transmeton Telegrafi.

“Këshilli miratoi një rregullore që siguron që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor t’i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash, duke hequr përjashtimin e aplikuar më parë për mbajtësit e pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Komisioni për Liri Qytetare dhe Punë të Brendshme i Parlamentit Evropian para disa muajsh kishte miratuar raportin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në territorin e Kosovës.

E pas këtij vendimi, Qeveria e Kosovës është shprehur e zhgënjyer pas vendimit që ka marrë Bashkimi Evropian, në lidhje me heqjen e vizave për serbët që jetojnë në Kosovë.

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, për Telegrafin  tha se janë të zhgënjyer me vendimin e marrë nga BE dhe se pasaporta e serbëve e lëshuar nga Serbia vazhdon të mbetet ilegale.

“Shprehim zhgënjimin tonё me vendimin e marrë nga Bashkimi Evropian në lidhje me ‘liberalizimin e vizave’ për mbajtësit e pasaportave ilegale të lëshuara nga autoritetet serbe, për qytetarët serb të Kosovës. Cilido vendim i Bashkimit Evropian, nuk e zhbën faktin që ato pasaporta vijojnë të mbeten ilegale, në shkelje të plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë, e rrjedhimisht të papranueshme për Republikën e Kosovës. Ato pasaporta, do të vazhdojnë të mos njihen nga autoritetet tona”, u shpreh ai.

Lexo po ashtu Këshilli i BE-së ua heq vizat serbëve të Kosovës të cilët kanë pasaporta të Serbisë

Tutje, Kadiu tha se “secili qytetar i vendit, nga secili komunitet, ka të drejtën e plotë që të përfitojë nga lëvizja e lirë pa viza, përmes pasaportës së Republikës së Kosovës”.

“Andaj, justifikimi i përdorur se bartësit e këtyre pasaportave ilegale do të mbeten të izoluar, është i pasaktë dhe në shpërputhje me realitetin. Po ashtu, e pashpjegueshme është dhe ngutia e shfaqur për marrjen e këtij vendimi, pa vërtetuar faktet në terren, pa analizuar implikimet qё munden dhe do tё pёrcjellin zbatimin e vendimit, dhe pa konsultuar që nga fillimi institucionet e shtetit tonë”, potencoi ai.

Gjithashtu, Kadiu tha se vendimi i marrë dëmton përpjekjet  e vazhdueshme për integrimin e komunitetit serb në Kosovë.

“Republika e Kosovës po zbaton politika në fusha të ndryshme, të cilat po i sjellin qytetarët më pranë institucioneve, e gjersa dhe me liberalizimin e vizave për Kosovën, pati rritje të ndjeshme e të prekshme të qytetarëve nga komuniteti serb të cilët u pajisën dhe po pajisen me dokumentet e Republikës sonë”, tha mes tjerash ai.

Vendimi për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë ka nxitur edhe reagimin nga Presidenca.

Në një përgjigje për Telegrafin, thuhet se vendimi i Këshillit të BE-së që të përfshihen në listën e bardhë Schengen, përkatësisht të lejohet qarkullimi pa viza për qytetarët tanë me pasaporta të jashtëligjshme serbe të lëshuara në Kosovë, dëmton qytetarët e Kosovës dhe karakterin multientik të saj si dhe vetë BE-në.

Sipas Presidencës, legjitimimi i këtyre pasaportave të jashtëligjshme nga BE-ja, saboton procesin e integrimit të komunitetit serb në Kosovë, e në veçanti në një periudhë kur një numër i madh i qytetarëve të etnisë serbe në Kosovë po pajiseshin me pasaporta të Republikës së Kosovës.

“Ky vendim ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën dhe për të gjithë qytetarët e saj. Për më tepër, këto dokumente që përmbajnë informacione të pa verifikuara, mund të barten nga persona që mund të cenojnë drejtpërdrejt rendin dhe sigurinë edhe në BE”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për Media.

Tutje ka theksuar se Republika e Kosovës nuk merr asnjë përgjegjësi për shkeljet që bartësit e këtyre dokumenteve të jashtëligjshme mund të bëjnë në zonën Schengen.

Për më tepër, thotë se vendimi i BE-së mbështet strukturat dhe prezencën ilegale të Serbisë në Kosovë dhe bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe me standardet e vetë BE-së në fushën e sundimit të ligjit.

Sipas Presidencës, Kosova për këtë vendim nuk është konsultuar fare, megjithëse institucionet tona i kanë dërguar vazhdimisht argumentet tona pse ky vendim është i dëmshëm.

“Ky vendim i BE-së, ligjërisht është i pazbatueshëm në Kosovë, ndaj pasojat e tij nuk mund t’i marrë Kosova dhe institucionet e saj, sikurse as përgjegjësinë juridike dhe atë politike”.

“E drejta e lirisë së lëvizjes duhet të ekzistojë gjithnjë, por jo në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës si dhe përpjekjeve e angazhimit tonë për sundim të ligjit në çdo cep të Kosovës”, thuhet në fund. /Telegrafi/